Haradinaj e porosit Thaçin të bëjë kujdes me temën e kufijve

Loja me kufi është eksperiment i rrezikshëm andaj edhe duhet të bëhet kujdes. Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Lajme

11/09/2018 12:54

Haradinaj duke komentuar rezolutën e propozuar nga liderët e Luginës së Preshevës, shtoi se sa herë që hapen çështjet e kufijve nuk dihet se kur mbyllen, çfarë tragjedi mund të shkaktohen dhe kush përfiton.

” Unë para një kohe kam pas nderin me kryesuar qeverinë dhe qeveria me nda një shumë për parkun e paqes në Preshevë. Ne do ta mbajmë vëmendjen edhe interesimin për shqiptarët që jetojnë në ato tema”.

“Mendoj që detyra ime është zbatimi i kushtetutës së vendit dhe ajo na obligon edhe në territor edhe në kufijtë. Të gjitha veprimet tjera mbaj pozicion të rezervuar, nuk kisha avancuar më shumë në këto rrethana”.

“Është eksperiment i rrezikshëm loja me kufi dhe territore dhe i ftoj të gjithë të kenë kujdes. Sa herë që janë hap temat e kufijve nuk ka garanci kur do të mbyllen pas çfarë tragjedive dhe Kosova nuk e ka luksin”.

Haradinaj foli edhe për korrigjimin e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën çështje tha se nuk ka nevojë  për presion kohor, raporton EO.

“I gëzohemi sukseseve të Malit të Zi. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira jemi shumë falënderues Malit të Zi për gatishmërinë që marrëveshjen për kufirin ta trajtojmë si jemi marr vesh”.

“Nuk kemi ndonjë presion kohor për këtë sepse kemi disa tema si liberalizimi. Kemi kohë, i vetmin presion kohor është liberalizmi i vizave”.