Haradinaj: E kam përçuar mesazhin te populli se kufijtë janë ato të 2008-ës

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook komentoi protestën e mbajtur para disa orëve, e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lajme

29/09/2018 17:38

Haradinaj falenderoi protestuesit për siç e thotë ai, kulturën qytetare të treguar në protestë.

“I falënderoj protestuesit për kulturën qytetare të treguar gjatë protestës së sotme. Përshëndes shprehjen e shqetësimit të një numri kaq të respektueshëm të qytetarëve të Kosovës për çështje që janë jetike për të ardhmen e vendit”, shkruan Haradinaj, transmeton lajmi.net.

Ai shprehet i bindur se Kosova do t’i ketë kufijtë që janë vendosur me pavarësinë e shtetit në 2008-ën.

“Unë këto ditë në Amerikë kam përçuar porosinë e popullit të Kosovës se kufijtë e Kosovës janë ata të 17 shkurtit të vitit 2008 dhe se e ardhmja e Kosovës nuk do të ndërtohet duke cenuar sovranitetin e saj me kompromise territoriale.
Shteti i Kosovës është në rrugën e drejtë të kompletimit të kapaciteteve të saja kushtetuese, veçanërisht të transformimit të FSK-së në ushtri, dhe për këtë kemi përkrahjen e aleatëve strategjikë të Kosovës”, shkruan ai.

Theksojmë se motoja e protestës ishte “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”./Lajmi.net/