Haradinaj e do qeverisjen e ardhshme pa PDK-në

Ramush Haradina ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të jetë pa PDK-në, për të sjellë një mënyrë tjetër qeverisëse. Ai ka thënë se zgjedhje nacionale duhet të mbahen në javën e parë të qershorit. AI vazhdon t'i fajësojë partitë tjera në opozitë për mocionin.

Lajme

27/03/2014 13:24

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,  ka thënë se qeverisja e ardhshme duhet të jetë pa PDK-në, me një mënyrë tjetër të qeverisjes.

Ai ka thënë se kësaj  gjenerate të udhëheqjes së vendit i janë harxhuar argumentet qeverisëse dhe se shkuarja në opozitë do t’u bënte mirë.

Në një ligjëratë të mbajtur të enjten  para studentëve të Kolegjit “Pjetër Budi”, Haradinaj ka thënë se çështja e mandatit të EULEX-it, dhe Tribunali për UÇK-në, duhet të përfundojnë gjatë prillit, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen “që në javën e par të qershorit”.

“Argumentet për me qeverisë më shumë, janë harxhuar. Mungesa e vullnetit për të krijuar vlera të reja e ka sjellë gjeneratën e sotme në harxhim të argumenteve”.

“Qeveria Thaçi më shumë ka punuar kundër vetvetes por, më e keqja është se nuk ka arritur të krijojë punë të mirë të qeverisë së ndërsjellë”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur për premtimet e fundit nga Kryeministri Thaçi, kreu i AAK-së ka  thënë se i sheh si veprime në urgjencë .

Haradinaj ka thënë se qeveria e ardhshme duhet të jetë pa PDK-në, me një mënyrë tjetër të qeverisjes.

“Do të ishte e shëndetshme për Kosovën, një ndryshim sa më në themel i qeverisjes, pra, që ky estabilishmenti  politik të shkojë në opozitë. Mirë është të shkojmë në qeverisjen e ardhshme njerëz tjerë, që janë për ndryshime”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se ka planin e tij për qeverisje të vendit për secilin sektor. Haradinaj ka thënë se me qeverisjen e tij synon që standardi i jetës së qytetarëve të Kosovës, të jetë i njëjtë  me atë të vende të Evropës Qendrove dhe Perëndimore.

Haradinaj ka kritikuar edhe partitë opozitare që për mos përkrahje të mocionit për rrëzimin e qeverisë. Ai ka thënë se kolegët e tij opozitarë me vetëdije apo jo i  kanë krijuar një teren të cilin po e shfrytëzon Thaçi.