Haradinaj: BE të angazhohet për një marrëveshje ligjore me Serbinë, dhe të shmanget debati për kufijtë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova pret nga BE që të angazhohet për një marrëveshje obliguese ligjore me Serbinë, që do të nënkuptonte njohje reciproke, duke shmangur debatin për kufijtë.

Lajme

30/08/2018 13:38

Ai këto komente i ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar me një delegacion të BE-së.

Haradinaj me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se në këtë takim ka njoftuar delegacionin e BE-së për të arriturat që ka bërë Kosova në sundimin e ligjit.

Postimi i plotë i Haradinaj:

Si faktor stabiliteti dhe kontribuese në paqen e qëndrueshme, Kosova po luan rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor.

Në takim me delegacionin e BE-së, të përbërë nga ish ministri i jashtëm i Holandës, Bert Koenders, euro-deputetja holandeze Kati Piri, ish deputeti holandez, Jan-Marinus Ëiersma dhe përfaqësuesja e Fondacionit Max der Stoel, Danijela Tadic, i njoftova me progresin e Kosovës në fuqizim të sundimit të ligjit, rritjen ekonomike, si dhe për bashkëpunimin intensiv rajonal, me qëllim të ecjes së bashku drejt Bashkimit Europian.

Kosova pret që institucionet e BE-së të jenë të vendosura që të arrihet një marrëveshje obliguese ligjore nga dialogu final me Serbinë, me njohje reciproke, duke shmangur çfarëdo debati për kufijtë. /Lajmi.net/