Haradinaj: BE-ja t’i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me përfaqësuesit e Partive Popullore të Parlamentit Evropian, ku i informoi këta të fundit për të arriturat e vendit në fuqizimin e sundimit të ligjit, nismën për reformën në administratën publike si dhe nevojën e përmbylljes së bisedimeve me Serbinë.

Lajme

07/05/2018 12:10

 

“Kosova është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha obligimet e saja për t’u përafruar me agjendën evropiane dhe rruga e saj e vetme është integrimi euro-atlantik”, deklaroi Haradinaj në këtë takim.

“Anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është vital për stabilitetin, sigurinë dhe progresin e vendit dhe të tërë rajonit. Mbështetja e partive popullore për Kosovën në Parlamentin Evropian është i rëndësisë së veçantë që rrugëtimi ynë të rezultoi me sukses”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet t’i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në familjen evropiane të cilës i takojmë dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Kryeministri Haradinaj konfirmoi para delegacionit të Partive Popullore Evropiane që Kosova po përmbushë agjendën e saj evropiane dhe kërkoi nga ta mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave.

Përfaqësuesit e Partive Popullore të Parlamentit Evropian përgëzuan Kryeministrin e Kosovës për të arriturat e vendit në këto vite të ekzistencës si shtet dhe ofruan mbështetjen e tyre në proceset e integrimit të vendit. /Lajmi.net/