Haradinaj: Ato që i premton AAK, i realizon

Kryeministri i vendit dhe njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në tubimin elektoral që partia e tij mbajti në Duzhnje të Gjakovës, u premtoi  banorëve të kësaj ane se ato që do t’i premtojnë edhe do t’i realizojnë, pasi ndihma e tij do të jetë e pakursyer.

Lajme

12/10/2017 19:30

Haradinaj theksoi se uji i pijes do të zgjidhet, sikurse edhe ndërtimi i rrugës kryesore, ndërsa një kujdes i veçantë do t’iu kushtohet edhe arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.

Ai kërkoi mbështetje për kandidatin e AAK-së për Gjakovën, Ardian Gjinin, duke thënë është i vetmi që mund t’i kryejë të gjitha punët.

“Nëse ka njeri që e njeh njeriun e komunës si qytetarë të barabartë është ky. Ky kurrë s’ka qenë as ndarës, as diskriminues, as përbuzës. Ky e ka një behane, shpesh i them, nuk është si ne shpesh me të marrë për qafe, nuk e ka atë, por ajo nuk është prej negativitetit, i ka ra të merret me mua me plot tema politike. Për këtë arsye jam gëzuar, sepse unë nganjëherë mund të bëj më shyhret nganjëherë, por kur ka punë që m’i jepni ju mua, unë ia kisha dhënë Ardianit t’i kryejë”, tha Haradinaj.

Haradinaj premtoi se në vitin 2019 do të fillojë ndërtimi i autostradës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini, tha se kur ka filluar hartimin e programit për Gjakovën, kanë menduar se nuk do të mund t’i përmbushin të gjitha ato pika, porse tash nuk e kanë asnjë dilemë se programin do ta përmbushin tërësisht, pasi kanë në udhëheqje qendrore, liderin e partisë, Ramush Haradinaj.

“Ne do të punojmë t’i bëjmë krejt njerëzit që të ndihen bashkë, të ndihen që kanë një pushtet lokal që do të jetë me ta, që do ta kenë derën qel të ai pushtet dhe që do t’i ofrojmë pronësi në proces. Ne nuk do të themi, sikurse keni dëgjuar në katër vitet e kaluara, unë e kam bërë, unë e kam bërë, ndërsa ne do të themi që ne e kemi bërë, sepse çdo gjë do ta bëjmë në komunë do ta bëjmë bashkë. Në Rekë të Keqe e dimë cilat janë prioritetet, kryeministri është në dijeni se ka mungon çështja e ujit, e dimë si është rruga kryesore e Rekës, por kemi edhe çështje tjera që do t’i kryejmë ne si komunë”, tha Gjini.

Ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, i ka dhënë mbështetje të fuqishme, Ardian Gjinit për kreun e kësaj komune, duke thënë se ai ka qenë mbështetës i fuqishëm i të gjitha proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

Edhe deputetja Teuta Haxhiu, kërkoi nga qytetarët që më 22 tetor ta mbështesin fuqishëm Ardian Gjinin për të parin e Gjakovës.