Haradinaj: Aspirata jonë është që t’i bashkohemi familjes së Aleancës Veriatlantike

Ua kemi borxh të jemi partner me ju, sepse na keni ndihmuar në kohëra kritike dhe të jemi këtu ku jemi sot. Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në hapjen e punimeve të Konferencës së 8-të, të organizuar nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me temën ,,FSK dhe Partnerët’’.

Lajme

26/04/2018 11:23

Kryeministri me këtë rast tha Forca e Sigurisë së Kosovës reflekton të vërtetën e Kosovës dhe kjo e vërtetë është që të gjithë ne, çdo qytetar i këtij vendi, të ndjehet si në shtëpinë e tij, qoftë shqiptar, serb, turk, rom ashkali, egjiptian, boshnjak.

“Sot, jemi në një institucion, që është shtëpia e të gjithëve. Aspirata jonë është që t’i bashkohemi familjes së Aleancës Veriatlantike dhe t’i kontribuojmë paqes”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se tranzicioni i Forcës së Sigurisë dhe mandati kushtetues i saj, nuk do të ndërrojë themelin e shtetit tonë dhe misionin e vizionin e shoqërisë sonë.

Kryeministri Haradinaj gjatë kësaj konference përmendi rolin e KFOR-it që ka pasur gjatë këtyre viteve në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rëndësinë që FSK-ja të fuqizohet edhe më tepër dhe të bëhet partner me NATO-n.

Ndërkaq, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha tha se FSK-ja vazhdon edhe më tutje të jetë institucioni më i besueshëm në vend dhe ky vlerësim është falë angazhimit dhe përkushtimit të të gjithë pjesëtarëve të Forcës dhe bashkëpunimit që ka me partnerët ndërkombëtar.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin, Ministri i FSK-së, z. Rrustem Berisha, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatori Cuoci, si dhe ambasadorë të vendeve mike dhe partnere, atashetë ushtarakë të akredituar në Prishtinë,  përfaqësues nga Presidenca, Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s,  KFOR-i, nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave./Lajmi.net/