Haradinaj: Askush s’na ka kërkuar të qeverisim me Thaçin

Dy takimet e fundit mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Ramush Haradinajt, u duk se do të thyejnë ngërçin politik, por lideri i AAK-së, sot i është rikthyer fjalorit tashmë të njohur të tij, kundër homologut të tij nga PDK. 

Lajme

20/10/2014 12:18

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke u përgatitur që ta sqarojnë anën ligjore për të vazhduar zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve në seancën e ardhshme. 

Ai ka shtuar se këtë javë do t’i qartësojnë qëndrimet dhe veprimet se si do të veprohet në këtë proces. 

Kreu i AAK-së, u shpreh se askush prej kryeqendrave nuk kërkon të qeverisim bashkë me Hashim Thaçin, i cili e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje me korrupsion, kriminalitet e të tjera. 

Ai tha se mjafton të lexohet Raporti i Progresit dhe të vërtetohet kjo. Haradinaj ka ripërsëritur se diktaturat siç thotë populli ’brina nuk kanë’, por nga veprimet e Thaçit në raport me mediat, shoqërinë civile dhe të tjera. 

I pyetur se pse nuk e kanë shfrytëzuar Blloku të drejtë që të kërkoj sqarim nga Gjykata Kushtetuese dhe jo minoritetet, ai tha se edhe minoritetet e kanë këtë të drejt.