Haradinaj: AAK distancohet nga dhuna në Kumanovë

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka komentuar ngjarjet e fundit në Kumanovë.

Lajme

13/05/2015 18:12

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ngjarjet që ndodhën në Kumanovë tregojnë se rajoni nuk është i rrezikuar nga “patriotët etnikë”, por nga qeveritë e korruptuara dhe të kriminalizuara të këtij rajoni.

Haradinaj më pas ka theksuar se si Aleancë distancohen nga dhuna dhe nga çdo formë e zgjidhjes së problemeve në çfarëdo forme të dhunshme.

Lexoni postimin e plotë:

Ngjarjet në Kumanovë tregojnë se rajoni nuk është i rrezikuar nga “patriotët etnikë”, por nga qeveritë e korruptuara dhe të kriminalizuara të këtij rajoni.

Lëvizjet për ndryshim këto qeveri nuk do të mund t’i ngulfasin duke përdorur dhunën apo konfliktet e paqena ndëretnike.

Ne si Aleancë distancohemi nga dhuna dhe nga çdo formë e zgjidhjes së problemeve në çfarëdo forme të dhunshme, por edhe njëherë potencojmë se i vetmi rrezik që ka rajoni, qëndron tek qeveritë e kriminalizuara dhe të korruptuara.