Hapet Panairi Ndërkombëtar i Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale ‘’Prishtina 2017’’

Është hapur Panairi Ndërkombëtar i Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2017”. Në këtë panair po marrin pjesë edhe kompani nga Serbia.

Lajme

27/09/2017 12:04

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se kjo dëshmon se në aspektin ekonomik sot Prishtina është kryeqytet i Evropës.

Sipas tij, një takim i tillë po mbahet në kohën kur agjenda politike në Kosovë është e ngarkuar, por Gërxhaliu thotë se prioritet i prioriteteve duhet të jetë zhvillimi ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se bashkëpunimi ekonomikë rajonal nuk ka alternativë. Gërxhaliu shtoi se do të përdoret dialogu për të tejkaluar sfidat, kjo duke iu referuar pjesëmarrjes të kompanive nga Serbia në panair.

“Bashkëpunimi ekonomik i bashkon popujt, forcon urat e bashkëpunimit dhe kjo nuk ka alternativë sepse së bashku jemi të orientuar drejtë ardhmërisë. Vet fakti që sot kemi përfaqësues nga rajoni i jep këtij panairi një multidimensional që Kosova e ka zgjedhur rrugën e partneritet”.

“Kemi qenë të atakuar nga pseudopatriot, por të gjithë jemi pajtuar se bashkëpunimi ekonomik nuk ka alternativ dhe ne do ta përdorim dialogun për të zgjidhur sfidat. Së bashku me Odën ekonomike të Serbisë kemi bërë një listën e barrierave që do të publikohet nesër”.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, në emër të kryeministrit Ramush Haradinaj ka përgëzuar organizatorët dhe ka shtuar se do të vazhdojnë me mbështetjen e të gjithë atyre që kanë iniciative të tilla  për të rrit zhvillimin e kësaj fushe.

Ai tha se bizneset dhe OEK kanë gjetur rrugën e bashkëpunimit jo vetëm brenda, por edhe jashtë Kosovës dhe se qeverina do të jetë mbrojtëse dhe mbështetëse e kësaj rruge.

“Sot është një kënaqësi e veçantë të shohim burra e gra të Kosovës dhe jashtë të cilës kanë zgjedh rrugën e bashkëpunimit zhvillimit jo vetëm tonë, por edhe vendeve të tjera. Në emër të kryeministrit ju përgëzoj për këtë panair duke sjell qëndrimin tonë se ne do tw vazhdojmë mbështetjen tonë Qeveria do të mbështet fuqishëm iniciativat përpjekjet për të rrit zhvillimin e kësaj fushe jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit”.

“Prodhuesit tanë kanë këtë mision të shenjtë për të rritur mirëqenien e Kosovës dhe këta po vazhdojnë të ndërtojnë rrugë bashkëpunimi edhe jashtë saj. Ne si qeveri do të vazhdojmë mbështetjen e prodhimit vendor në funksion të krijimit të lehtësirave dhe heqjen e barrierave”.