Hapeni ‘klinikën’ e studentëve, Zoti ju marroftë!

Pse po ua mohoni studimet studentëve? Pse po i shkelni vendimet? Pse po e shkelni ligjin? Ligjin për Bibliotekat? Kur nuk e respektoni ligjin, kë tjetër respektoni ju e nga kush tjetër keni frikë? Nga i Madhi?! Nga ai Lart?! Ju s’njihni njeri. Ju s’njihni as Perëndi. Juve ju duhen njerëz të tjerë. Neve na duhet tjetër Perëndi. “Një që të na kapë, të na kapë e të na tundë, të na tundë e të na shkundë”, tekave tuaja t’u japë fund! Nëse ju kanë ikur mendtë, tubojini dhentë (këshillat e Rektoratit e Senatin, këshillat e ministrave e të dy bibliotekave e kë jo tjetër) e hapeni BQU-në! Hapeni më, Zoti ju marroftë!

Lajme

25/09/2016 20:32

Shkruan: Berat Armagedon

Dikur, jo shumë moti, studentët e UP-së janë nxjerr mashtrueshëm dhe kanë dalë e janë kërrusur para “Hasan Prishtinës” dhe e kanë shkarkuar të parin e tij. I janë futur edhe në zyrë Ibrahim Gashit për ta nxjerrë jashtë, qoftë edhe zvarrë, duke ia treguar muskujt e ngrehur zërin zonjusha e zotërinj, të rinj e të vjetër, të shkolluar e me pak ditë shkollim.  Studentët e UP-së janë nxjerr dhe kanë dalë para “Hasan Prishtinës” dhe e kanë shpëtuar përkohësisht nga shkarkimi të parin e tij, Ramadan Zejnullahun, veç pse, së bashku me bashkëshorten, ky në Rektorat e ajo në Fakultet të Mjekësisë, shprehnin kapadaillëk dhe shpreheshin kundër parregullsive e padrejtësive që i bënin studentët e UP-së e profesorët e tyre.

Studentët e UP-së kanë dalë para Rektoratit të UP-së për shumëçka. Studentët e UP-së, para se të dalin për të shkarkuar një rektor e për ta mbrojtur nga shkarkimi një rektor tjetër të “Hasanit”, janë nxjerr dhe kanë dalë në sheshet e Prishtinës për nevoja të ndryshme të partive politike. Pra, janë përdorur politikisht dhe publikisht. Studentët e UP-së kanë dalë të protestojnë edhe atëkohë kur fasulja hahej vetëm nga një kokërr, atëkohë kur kërkohej “republikë ja me hatër, ja me luftë”, kur përgjakeshin rrugët e Prishtinës me gjak të shqiptarëve, pasi goditnin mbi ta, pareshtur, paramilitarët serbë, herë me tyta të pushkëve, herë me shkopinj të metaltë, herë me çizme të forta, vazhdimisht me grushte prej tuli e kocke e me gurët tanë vendorë në kokat e tyre të forta e fort të pathyeshme e të ndritshme.

Ndryshe nga atëherë, sot studentët e UP-së nuk protestojnë për kishën e vënë pa vend në kompleksin e Universitetit të tyre. Nuk protestojnë për arën e vet. Për tokën e vet. Për tokën e babës, të babagjyshit, të stërgjyshit… Për tokën e tyre të trashëguar denbabaden.  Që sa vite që është aty ajo kishë nuk organizoi dhe nuk organizon kush, asnjë organizatë studentore, asnjë protestë për reagim ndaj saj e ndaj idesë së ndërtimit të saj, e ndërtuar dhunshëm, në kompleksin e Universitetit të tyre. Asnjë rektor s’e tha, e as ky i sotmi s’e thotë një fjalë për të – fjalë smirëzezë, sikurse ishte ideja për ndërtimin e saj e mbetjen aty, mbase përgjithmonë! Megjithatë, e dimë të gjithë, të gjithë e dimë, i madh e i vogël, i gjithë populli shqiptar, e dinë edhe nacionalitetet e tjera, se të gjithë studentëve shqiptarë kjo kishë ua vret sytë sa herë që kalojnë atypari e në cilëndo medie që e shohin surratin e saj, por asnjë student shqiptar s’del as vet e as me shokë kundër saj.

Po këta studentë të UP-së, ata kryetarë të atyre organizatave studentore që s’reagojnë që sa vite ndaj kishës politike, nuk kërkojnë të drejta e kushte më të mira nga Rektorati i UP-së as për studimet e veta. Ç’të drejta duhet të kërkojnë studentët e UP-së nga “Hasan Prishtina”, nga kreu i saj, Marjan Dema, edhe nga kreu i Ministrisë së Arsimit…, Arsim Bajrami e nga të tjerët që i udhëheqin institucionet kryesore arsimore, shkencore e kulturore? Duhet t’i kërkojnë ato të drejta e ato kushte të përshtatshme për lexim që ua mundëson e lejon ligji. Ligji për bibliotekat.

Ligji për Bibliotekën Qendrore Universitare (BQU-në). Asnjërës organizatë studentore nuk po i bie ndërmend për studentët e UP-së, për kushtet e leximit të tyre nëpër sallat e leximit të fakulteteve. Asnjërës organizatë studentore, as kryetarëve të atyre organizatave që organizohen e kërkojnë përkrahje vetëm kur janë zgjedhjet studentore, nuk po i bie ndërmend se për studentët e UP-së është ndërtuar objekti i Bibliotekës Qendrore Universitare, se për ndërtimin e tij janë dhënë rreth ose pak mbi pesë milionë euro. Askujt nuk po i rrapëllon mendja se udhëheqësia e Rektoratit, e MKRS-së, e MAShT-it dhe e dy bibliotekave, e Universitares dhe e Kombëtares, edhe këmbëngulësia personale e disa individëve që, fatkeqësisht, gjenden dhe i udhëheqin e i këshillojnë këto institucione, po për qëllime personale, po e mbyll, ende pa u hapur, institucionin më të ri për studentët e UP-së: Bibliotekën Qendrore Universitare.

Kuku nanë sa të mjerë janë të gjithë ata që po përpiqen për mbylljen e saj ende pa e hapur! Dhe, po, do ta mbyllin, sepse nuk ka kush t’u thotë mos e mbyllni, se nuk ka kush t’ua tregojë muskujt, se nuk ka kush t’ua rrahë tavolinat, as t’i shtyjë e t’i pështyjë. Sot nuk ka kush të dalë as para “Hasan Prishtinës” e t’i thotë Marjan Demës, shqip ose në ndonjë gjuhë tjetër që merr vesh më mirë, hape më këtë bibliotekë, o rezil, se dreqërit s’e hapin dot! Nuk ka kush t’i thotë Marjanit, para objektit ku e plak ditën, e Marjani t’u thotë të tjerëve, atyre që e bënë rektor me zor, hapeni se po më thonë studentët se u duhet kjo bibliotekë, se u mërdhinë gjatë gjithë dimrit nëpër salla të leximit, se u kallën gjatë gjithë verës nëpër po ato salla, se qenkan librat e tyre aty e po u dëmtuakan për çdo ditë nëse nuk u bien në duar që t’i lexojnë e t’i shfletojnë.

Hapeni se ata pak libra, kryesisht të mjekësisë, që i ka paguar MAShT-i sa nuk bën, sa një mizë për një buall, mbi pesë milionë euro, po kalben pa u rënë në duar studentëve asnjë ditë.  Hapeni se është e jona, more! Hapeni se ju obligon ligji, ore! Hapeni se amerikanët i kanë dhënë mbi 300 000 dollarë për të, për stafin e saj, për aftësimin e tyre! Hapeni ju marroftë Zoti e kurrë mos t’ju shkojë mendja që ta mbyllni më! Kishën, në kompleksin universitar, e cila nuk po ju pengon, serbëve po u shkon mendja ta bëjnë funksionale, kurse juve po ju pengon Biblioteka Qendrore Universitare e po përpiqeni ta mbyllni vetëm pse është në kompleksin universitar, vetëm pse është për studentët e “Hasanit”, vetëm pse e përkrahën amerikanët, vetëm pse projektin për të e funksionimin e saj e bënë amerikanët para 13 vjetësh e ju u vonuat që 13 vjet.

Kujtoni edhe sot e kësaj dite se amerikanët menduan keq për Kosovën, për të ardhmen e saj, për studentët tanë e studimet e tyre, kur na thanë në 2003-n, nëse doni studime më të mira, hapeni Bibliotekën Qendrore Universitare?! Këtë mendim, kaq të mbrapshtë, ende e keni për amerikanët?! Për amerikanët e Amerikës?! Për amerikanët e Arbërisë?! Për amerikanët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës?! Kuku nanë, kuku, çfarë mendoni ju për ta e çfarë mendojnë ata për ju! Kaq mbrapshtë për studimet në UP, për “Hasan Prishtinën”, për studentët e të gjitha komunave të Kosovës të ardhur në Prishtinë, po për studimet që ofron ky universitet, kryesisht shqiptarë të Kosovës, nuk mendojnë as armiqtë, o udhëheqës të shtetit e të institucioneve arsimore e kulturore!

Prandaj, po ju pyes sërish, pse po ua mbyllni studentëve shqiptarë atë derë të dijes kur, po në kompleksin e UP-së, s’po bëni zë që po hapet, për çdo ditë e nga pak, dera e kishës ortodokse e ndërtuar nga regjimi i tmerrshëm dhe i egër serb që s’ju linte të shihnit rreze drite me sy atëkohë kur studionit shqip, që hanit kërbaç mbi kokë për çdo ditë veç pse ishit shqiptarë e veç pse donit arsimim në gjuhën shqipe?! A jeni normalë, o njerëz të krisur e kokëkrisur që, fatkeqësisht, aksidentalisht jeni këtu ku merret dhe jepet dija (universitet), që s’mendoni për hapje, por për mbyllje të BQU-së për çdo ditë e për çdo natë, takim pas takimi, thirrje pas thirrje, mesazh pas mesazhi, vesh pas veshi?! A jeni të vetëdijshëm çfarë po bëni? Çfarë po i bëni të ardhmes së UP-së? Studentëve të “Hasanit”? Neve? Kujt jo tjetër, bre! Pse po u mëshoni shkelmë hundëve amerikanëve? 300 000 dollarëve të tyre e trajnimeve të vazhdueshme të tyre?

Pse po ua mohoni studimet studentëve? Pse po i shkelni vendimet? Pse po e shkelni ligjin? Ligjin për Bibliotekat? Kur nuk e respektoni ligjin, kë tjetër respektoni ju e nga kush tjetër keni frikë? Nga i Madhi?! Nga ai Lart?! Ju s’njihni njeri.  Ju s’njihni as Perëndi. Juve ju duhen njerëz të tjerë. Neve na duhet tjetër Perëndi. “Një që të na kapë, të na kapë e të na tundë, të na tundë e të na shkundë”, tekave tuaja t’u japë fund! Nëse ju kanë ikur mendtë, tubojini dhentë (këshillat e Rektoratit e Senatin, këshillat e ministrave e të dy bibliotekave e kë jo tjetër) e hapeni BQU-në! Hapeni më, Zoti ju marroftë!