Hape derën, jam ai politikani…

"Kanë kaluar katër vjet që kur jemi parë për herë të fundit. Fatkeqësisht nuk më ka rënë puna këndej pari, në lagje, afër shtëpisë tënde e as nga qyteti. Kam pasur shumë punë për këto katër vjet. A të kujtohet iniciativa ime për shtrimin e asfaltit? Beso, kam provuar shumë herë, por nuk me dëgjonte kryetari. Por tash' të premtoj se mandatin e ri do të bëhet!"

Lajme

31/03/2017 16:24

Edhe pse duket një bisedë imagjinare, është një monolog neveritës që thuhet rregullisht në një mënyrë monotone çdo katër vjet, ose dhe më herët nëse nevoja e lyp. Dhe një takim mes një politikani dhe qytetari pas pak muajsh do të ketë këtë përmbajtje.

Me apo pa dëshirë, qytetarët do të detyrohen t’i takojnë ata që nuk i mbajtën premtimet e dhëna para katër viteve; që i zgjodhën dhe pavarësisht se i mallkojnë gjatë gjithë mandatit” do t’i zgjedhin sërish por jo për të përfaqësuar interesat e një zone e qa më pak të një populli. Por sepse kanë vendosur të bëjnë dikë të lumtur dhe të pasur.

Do të dëgjohen sërish të njëjtat premtime, të cilat bien si gurë në kurrizin e atyre që pavarësisht të gjithave vijojnë të shpresojnë të presin, se kush e di….”ëndrra amerikane” mbetet një vend pune, përë ata që sapo u diplomuan, për ata që kanë vite që fshijnë pluhurat e diplomës, dhe për më shumë të tjerë që përpiqen të mbajnë familjen e tyre në mënyrë sa më dinjitoze.

Por në dyert e këtyre do të trokasin të njëjtit njerëz, me të njëjtën fytyrë – të pacipë, duke kërkuar e më pas premtuar. Një kërkesë që shkon dhe më larg se sa një marr’ – dhënie. Pasi sapo marrin ata harrojnë të japin, dhe përderisa dhe vetë qytetarët harrojnë që kanë dhënë votën e tyre, të vetmen gjë që kanë në dorë dhe që është shumë e nënvlerësuar, atëherë rrethi vicioz do të vazhdojë të jetë i tillë. Çdo katër vjet, ose dhe më shpesh.

Deputetët, kandidatët për deputetë, militantë e përfaqësues, brenda një kohe të shkurtër do të pikturojnë vendin tënd ndryshe nga sa e ka parë deri tani, duke zbuluar gjëra që ti si dije që ekzistonin dhe pse ekzistojnë. Dhe përballë problemeve të shumta zgjidhja kërkohet gjetkë, tek 40 mijë kosovarë që kanë braktisur nënshtetësinë e tyre brenda një periudhe një vjeçare, tek mijëra të rinj që ëndërr kanë një vizë pune, larg ambicieve apo investimit personal që kanë bërë. Tek profesionistë që ndoshta do të dëshironin t’i shërbenin vendit të tyre, por vendi i tyre nuk i shërben më atyre..

Ata që mbesin këtu dhe që bëjnë përpjekje për të ndërtuar dicka, zhgënjehen, braktisen, pengohen. Dhe mbështetjen e premtuar nga përfaqësuesi që ka zgjedhur nuk do ta gjejne asnjëherë, dhe ky është fakt. Mandati nuk është një kohë që të zgjedhurit e shfrytëzojnë për të realizuar premtime, për të tërhequr rininë në iniciativa për të mirën qytetare apo për të përmirësuar jetën e komunitetit. Jo! Mandati shërben për tu pasuruar, dhe me një pjesë të vogël të kësaj pasurie ndërtohet fasada pak ditë para zgjedhjeve për të gënjyer sërish, me një mënyrë tjetër, për të marrë një mandat të dytë.

Por pavarësisht dëshpërimit dhe urrejtjes që një kategori e të rinjve kanë ndaj politikës dhe politikanëve, në fund ata janë të detyruar që t’iu afrohen atyre. Madje një pjesë e madhe e të rinjve mendojnë se afërsia me politikanët do të mund t’iu garantojë një vend pune, kështu në fushata zgjedhore, shumica e aktivistëve janë kryesisht të moshës së re. Por politikanët që qeverisin Kosovën janë kryesisht të njëjtë, ata të vjetrit që kanë kaluar nëpër sisteme të ndryshme, që funksiononjë në klane. Pakkush mund t’i afrohet klanit të tyre sepse ata që i rrethojnë kryesisht janë të lidhur për interesa e shpesh herë kanë edhe borxhe nga e kaluara apo nga e ardhmja e përbashkët në biznes. E në këtë të fundit kanë shndërruar edhe zgjedhjet, duke kërkuar votën qytetare pas një lloj platforme. Si për ironi platformat e shumicës prej partive politike kanë nga 10 deri në 15 faqe dhe ponëse shihen të gjitha me kujdes, aty gjen vetem tema të përgjithshme, sic është fuqizimi i rinisë, krijimi i vendeve të punës apo edhe kjo shakaja e integrimeve evropiane.

Ka aq pak seriozitet në atë se si partitë politike i trajtojnë qytetarët. Kjo pasqyrohet tek 60% i qytetarëve që nuk ju përgjigjen zgjedhjeve, jo vetëm se janë mashtruar nga politika, porse padyshim, shumica prej tyre janë lodhur nga niveli minimal i përmbajtjes së platformave apo programeve të tyre qeverisëse. Mbase së shpejti do të vijë koha kur edhe politika do ta kuptojë se Kosova nuk është një kope delesh, por tashmë janë ata që e kanë kuptuar se prej 17 vitesh po gënjehen.

Ndoshta së zhpej8ti, këto zhgënjime e dëshpërime do të përkthehen në një votë kundër politikbërësve të interesave personale – dhe pro një populli që në këtë rast “Nuk e meriton politikën/qeverinë/partitë që ka”

*Editorial nga debati i organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe studentë të universitetit publik “Hasan Prishtina”. Ky editorial paraqet vëzhgimet e autorit, dhe jo domosdo përputhet me qëndrimet e organizatorëve të debatit publik, KDI dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.