Hapat e parë të suksesit në “On Records” dhe karriera e artistëve pas daljes nga ky label

Sot, shumë prej artistëve tanë funksionojnë me një menaxher apo kompani muzikore.

ShowBiz

29/01/2019 13:00

Kompanitë muzikore kujdesen për të organizuar çdo gjë që ka të bëjë me një artist, duke filluar nga projektet muzikore, koncertet, intervisat, e shumë gjëra të tjera, shkruan lajmi.net.

Ditët e fundit kanë bërë bujë largimet nga disa prej labeleve më me emër në vend.

Artistët po zgjedhin që hapat e parë t’i marrin në një kompani muzikore, për të vazhduar më tej karrierën si solo-artista.

Së fundi, ishte këngëtarja Orhidea Latifi-Kida, ajo e cila u largua nga kompania “On Records”, pasi i përfundoi kontrata me këtë menaxhment.

Largimi i Kidës nga ky label bëri bujë në medie, ani pse ajo u nda nga ky grup në mënyrën më të mirë, pasi kishte arritur shumë suksese gjatë kohës kur ishte pjesë e tij.

Madje, për gjithë këto suksese, Kida e kishte falënderuar publikisht menaxherin, Met Elshani dhe bashkëpunëtorët e tjerë të kompanisë.

Por, jo vetëm Kida, janë edhe disa largime të artistëve tjerë nga “On Records” që kishin bërë bujë në medie.

I kontaktuar nga Lajmi.net, menaxheri i “On Records”, Met Elshani, ka folur lidhur me largimet e artistëve nga ky label.

Duke i uruar sukses Kidës, e cila u largua së fundi nga ky label, Elshani ka treguar se a mendon që daljet e artistave të tjerë kanë ndikuar pozitivisht tek ata si artistë.

“Largimi i disa artistëve në mënyrë të njëanshme nuk iu ka bërë mirë atyre, sepse sot përballen me organet gjyqësore, sepse kanë një kontratë të noterizuar dhe normal që kanë përgjegjësi për marrëveshjen”, ka thënë ai.

Ai mendon që këta emra nuk i kanë menduar aspak pasojat para largimit nga grupi, pra shkëputja e kontratës në formë jo ligjore.

“Kur kanë nënshkru, kanë qenë në moshë madhore, si duket nuk i kanë menduar mirë mirë pasojat e së ardhmes. Kjo nuk vlenë për Kidën, e cila në mënyrën më të mirë ka zgjedhur rrugën për vazhdimin solo në karrierë dhe e ka përkrahjen tonë deri në fund. Tash sukseset e tyre solo do shihen në një të ardhme të shkurtër”, shtoi Elshani.

Lajmi.net sjell listën e disa prej artistëve që u komentuan shumë pas largimit nga “On Records”.

Mozzik dhe Getinjo

Largimi i dy vëllëzërve reperë, Mozzik dhe Getinjo ishte më i bujshmi. Kjo ngase dy artistët kishin shkëputur kontratën pa përfunduar afati i caktuar.

Meqë ndarja e tyre ishte e njëanshme dhe u konsiderua shkelje e marrëveshjes, dyshja u hodhën në gjyq.

Pasi dolën nga “On Records”, dy reperëve u janë fshirë të gjitha këngët, por pas një kohe ata filluan të sjellin projekte të reja muzikore.

Sot, Mozzik dhe Getinjo, të cilët hapat e parë i morën në “On Records”, numërojnë disa projekte muzikore të publikuara një vit pas largimit nga kjo kompani.

I kontaktuar nga lajmi.net, Getinjo nuk ka dashur ta komentojë largimin nga grupi dhe atë se si po i ecën karriera atij dhe Mozzik, si solo-artistë, pasi e ka konsideruar si çështje të kryer.

“S’e kemi mendjen më aty, ka ecë ajo periudhë”, ka thënë për Lajmi.net, Getinjo.

Gordana Kingji- Baby G

Në vitin 2017, këngëtarja Gordana Kingji, e njohur për publikun si Baby G, ka njoftuar për largimin nga labeli “On Records”.

Pas largimit, ajo në një intervistë për “Mirage” kishte sqaruar arsyet e shkëputjes së kontratës me këtë grup.

YouTube player

Këngëtarja kishte njoftuar se pas disa mosmarrëveshjeve është larguar nga ky grup, por pavarësisht të gjithave, Baby G ka falënderuar bashkëpunëtorët e këtij grupi për punën që kanë bërë për të arritur këtu ku është sot.

Por, ajo që befasoi të gjithë ishte fakti që Baby G deklaroi se pas daljes nga “On Records” anëtarët e tjerë të grupit ia kishin bërë ‘block’ në Instagram, ani pse nuk e dinte arsyen e këtij veprimi.

Adelina Berisha

Edhe këngëtarja Adelina Berisha në vitin 2017 është larguar nga “On Records”, ajo në një intervistë për “Mirage”, kishte deklaruar se u largua për shkak se nuk ishte çfarë ka dashur dhe meqë nuk ka arritur atë që deshi në grup, dëshiroi të vazhdonte e vetme.

YouTube player

Arta Memedi dhe Nikka

Arta Memedi dhe Nikka janë dy artiste të tjera që kanë qenë pjesë e “On Records”, por tani funksionojnë si artiste të pavarura.

Por, përkundër këtyre grupeve, anëtarët e tjerë që gjenden në këtë label po vazhdojnë të jenë në mesin e artistëve më të kërkuar aktualisht në vend. Bëhet fjalë për Feron, Rinën dhe emra të tjerë që së fundi janë bërë pjesë e “On Records”.

Fero dhe Rina, ani pse të ri në moshë, kanë shënuar suksese të mëdha në këtë profesion. Dyshja numërojnë disa projekte muzikore, të cilat po priten shumë mirë në publik.

Që të dy, janë duke punuar aktualisht rreth projekteve të reja muzikore, të cilat do t’i publikojnë së shpejti.

Me projektin e tij të fundit me titull “Alles Baba”, Fero ka marrë mbi 3 milionë klikime në kanalin YouTube.

Në anën tjetër, kënga e fundit nga Rina Balaj është “Down On Me” në bashkëpunim me K Koke, këngë që ka marrë mbi 4 milionë klikime.

Përveç tyre, janë edhe shumë emra të rinj në këtë kompani, projektet e të cilëve po priten mirë në treg.

Atëherë, nga e gjithë kjo kuptohet se artistët po preferojnë që hapat e parë të karrierës t’i nisin në një kompani muzikore, për të vazhduar më tej punën si solo-artista. /Lajmi.net/