Hani i Sumës

Refki Suma hyri në këto zgjedhje pa parti e pa bërë fushatë. Por jo duarthatë. Atij iu vlerësuar puna e bërë në mandatin e kaluar, të cilin e kishte fituar si kandidat i pavarur.

Lajme

04/11/2013 14:20

Rufki Suma ka rimarrë, qysh në raundin e parë, besimin e qytetarëve të Hanit të Elezit, për të udhëhequr me këtë komunë edhe në katër vjetët e ardhshme.

Ai ka shënuar një fitore bindëse, këtë të diel, përballë kandidatëve të tjerë, prapa të cilëve qëndronin  partitë më të mëdha në vend.

Suma hyri në këto zgjedhje pa parti e pa bërë fushatë.

Por, jo duarthatë. Atij iu vlerësuar puna e bërë në mandatin e kaluar, të cilin e kishte fituar si kandidat i pavarur. Dhe, doli prapë faqebardhë.

Ai korri fitore të madhe si Kandidat i Pavarur duke marrë mbi 55 për qind të votave në këtë komunë. Pas tij, i dyti, ishte kandidati i PDK’së, Mehmet Ballazi me 39 për qind, ndërsa i fundit kandidati i LDK’së, Zylbear Hasallari, me rreth 7 për qind të votave.

Në një intervistë për lajmi.net, Suma thotë se kjo votë përkrahëse për të nuk është privilegj, por përgjegjësi e madhe. Madje, shumë e madhe.

“Realisht kjo fitore për mua më shumë është përgjegjësi sesa privilegj, për shkak se unë kur marrë një obligim për të udhëhequr një Komunë”.

“E kam obligimin të madh që ta bëj punën si duhet për ta merituar besimin e qytetarëve”.

Pse ka fituar Rufki Suma?

“Mendoj se është vlerësuar puna ime e deritanishme. Sidomos, puna ime në mandatin e parë”.

Puna e tij vlerësohet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në daljen e parë para mediave pas zgjedhjeve, Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka quajtur Sumën Kryetarin më të mirë komunal të Kosovës.

“E urojmë Rufki Sumën për fitoren në Hanin e Elezit qysh në raundin e parë”.

“Ai pa dyshim që është kryetari më i mirë dhe më i drejtë i ndonjë komune të Kosovës në këto vitet e pasluftës”.

“Asambleistët tanë atje dhe Lëvizja jonë në përgjithësi do të punojë ngushtë e bashkë me Rufki Sumën që Hanin e Elezit ta zhvillojmë e përparojmë edhe më tutje”.