Hamza për lansimin e “Agro”: Kreditimi në bujqësi do të shtohet ndjeshëm

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se bujqësia është njëri nga sektorët me prioritet të lartë, në ceremoninë e lansimit të dritares “Agro” të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive, të cilin e vlerësoi të rëndësishëm për tregun në Kosovë.

Lajme

22/03/2018 14:32

“Përkundër faktit se shumica e Bankave janë duke kredituar këtë sektor përgjatë viteve, ku kreditë e destinuara për Agro vazhdojnë të mbeten të ulëta. Dhe besoj se një nga arsyet kryesore për këtë kreditim relativisht të ulët, ka qenë perceptimi i rrezikut më të lart për këtë sektor, dhe normat e interesit që kanë reflektuar këtë rrezik”, u shpreh Hamza.

Ai gjithashtu vlerësoi se lansimi i këtij produkti, në masë të konsiderueshme do të ulë rrezikun ndaj të cilit janë të ekspozuara Bankat dhe Institucionet jo-bankare, dhe rrjedhimisht, kreditimi për këtë sektor do të shtohet ndjeshëm.

Me rastin e lansimit të dritares “Agro”, ministri Hamza gjithashtu theksoi se Fondi për Garanci Kreditore është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit të shumë akterëve, dhe se ky bashkëpunim do të ndikoj në qëndrueshmërinë afatgjate të këtij Fondi.

Ai bëri të ditur se lansimi i këtij produkti, vjen si rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm midis Qeverisë, Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe donatorëve, në këtë rast Bankës Zhvillimore Gjermane.