Haliti: Kërkesa e deputetit Bulliqi, në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se nuk ka informata për marrëveshjen e demarkacionit. “Informatat i kam zero. Kjo nuk është vetëm çështje e Kosovës dhe Malit të Zi,” tha Haliti.

Lajme

12/07/2016 14:16

Deputetët u pyetën edhe për Nismën e Shpejtim Bulliqit që të diskutohet për demarkacionin para se ai të ratifikohet.

Deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi në seancën e Kuvendit të zhvilluar të enjten propozoi një debat profesional-shkencor mes anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Demarkacionit dhe njohësve të kësaj çështjeje ku do të ballafaqoheshin argumentet.

Donika Kadaj-Bujupi tha se propozimi i deputetit Bulliqi u është ofruar për nënshkrim deputetëve të “Vetëvendosjes” dhe tregoi se këta deputetë e kanë nënshkruar propozimin që marrëveshja e demarkacionit të diskutohet.

“Deputetët e ‘Vetëvendosjes’ kanë ofru nënshkrimet,” tha Kadaj-Bujupi.

Edhe deputeti i PDK-së Xhavit Haliti nuk i kundërshtoi diskutimet për demarkacionin teksa shprehu bindjen se mund të ketë rishikim të marrëveshjes.

“Po more si s’ka mundësi (rishikimi). T’i nxjerrim argumentet: çka fiton Kosova dhe çka jo? Mbi këtë logjikë,” tha Haliti.

Por ky deputet tha se propozimi i deputetit Bulliqi është në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh diskutim në formë të tillë, por parasheh formim të komisionit hetimor me 40 nënshkrime. Nënshkrime, ose komisionet munda ta ftojnë kënd të duan. Proceduralisht [propozimi i Bulliqit] është në kundërshtim me rregulloren,” tha Haliti.

Në Komisionin për Integrime Evropiane më 3 qershor ishte ftuar të raportojë kreu i Komisionit shtetëror të Demarkacionit Murat Meha, por ai nuk kishte dalë para këtij komisioni ngase atë ditë makina e tij ishte sulmuar nga aktivistë të “Vetëvendosjes”.

Xhavit Haliti tha se Meha nuk është ftuar më nga komisioni.

“Jo ne e kemi ftuar, është penguar të vijë dhe më nuk e kemi ftuar,” tha Haliti.