Haliti: Besoj në votat e LDK-së për ta zgjedhur Thaçin President

Hashim Thaçi nëse nuk zgjidhet president i Kosovës në raundin e parë ose të dytë të votimeve në Kuvend, përkatësisht me 80 vota, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

Lajme

15/08/2015 08:29

Bëhet e ditur se kjo është kërkesa më e fundit e zyrtarëve të PDK-së drejtuar partnerit të koalicionit qeverisës (LDK), të cilëve u ka bërë të qartë se nuk pranojnë që lideri i partisë më të madhe të zgjidhet president në raundin e tretë të votimeve, me 61 vota të deputetëve.

Drejtuesit e partisë më të madhe në vend ia kanë bërë të qartë këto kërkesa partnerit të koalicionit, pasi që disa deputetë të LDK-së, përkatësisht 6-8 vetë, llogaritet se nuk do ta votojnë Thaçin president, pasi t’i skadojë mandati presidentes, Atifete Jahjaga.

Megjithatë, nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se pavarësisht deklarimit të disa deputetëve të LDK-së kundër zgjedhjes së Thaçit për president, më shumë u beson fjalëve të kreut të LDK-së, Isa Mustafa, që kjo parti do ta mbështesë Hashim Thaçin për president të Republikës. /Zëri/