Halimi: Nuk besoj se do të jemi pjesë e Qeverisë së Serbisë

Riza Halimi pret që Qeveria e re e Serbisë të ketë qasje më serioze ndaj problemeve të shqiptarëve të Luginës. Nuk pret që dy deputetët shqiptarë të jenë pjesë e Qeverisë por shpreson se do ketë bashkëpunim, për të adresuar problemet e shqiptarëve.

Lajme

26/03/2014 20:29

Lideri i Parisë për Veprim Demokratik në Luginë të Preshevës, Riza Halimi nuk pret që dy deputetët shqiptarë në Parlamentin serb të jenë pjesë e Qeverisë së re në Serbi. Në një intervistë dhënë për lajmi.net Halimi pret që Qeveria e re të interesohet më shumë për pakicat në Serbi, për shkak se tashmë ky shtet është në përgatitjet e fundit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Thotë se nuk është e domosdoshme që shqiptarët të jenë pjesë e Qeverisë, por shpreson se Qeveria e re do të ketë qasje më serioze ndaj pozitës së shqiptarëve në Serbi.

Kreu i Veprimit Demokratik, thotë se ekziston mundësia që deputetët shqiptarë të formojnë grup parlamentar me tre deputetë boshnjak, por që për këtë gjë akoma nuk është vendosur.

Lajmi.net: Partia e juaj ka fituar dy vende në Parlamentin serb. A mendoni se me dy deputetë do të mund të përfaqësojnë më mirë të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

Riza Halimi: Normal se me dy deputet fillimisht është vërtetim i forcës zgjedhore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Normal se për të pas mundësi përveç përfaqësimit tonë në Parlament të paraqitjes së problemeve, për të pas mundësi edhe të shkohet më tepër në zgjidhjen e problemeve të rënda të shqiptarëve, për këtë gjë duhet të sigurohet edhe një qasje shumë më serioze e Qeverisë që do të formohet tani.

Ne shpresojmë, duke marr parasysh kohën kur Serbia po i bën përgatitjet e fundit për anëtarësim në BE, që do të ketë një interesim shumë më të madh se gjerë më tani, për t’i zgjidhur në përgjithësi problemet e pakicave nacionale në Serbi, dhe për ne çka është me rëndësi, pozitën e shqiptarëve.

Është një besim që në këto momente do të ketë një interesim më të madh, do të ketë një qasje më serioze dhe dy deputetë që do të jenë, janë të gatshëm që t’i mbrojnë interesat e shqiptarëve dhe do të jenë të gatshëm që të punojnë me Qeverinë e re për të zgjidhur problemet e shumta, por gjithnjë kushtimisht nëse për këtë do të ketë interesim nga mandatari i ri i Qeverisë së re.

Lajmi.net: Z. Halimi ka keni diskutuar se me cilin grup parlamentar do të bashkëngjiten dy deputetët shqiptarë në Parlamentin e Serbisë?

Riza Halimi: Unë kam qenë në mandatin e kaluar deputet i pavarur. Në dy mandatet e mëparshme kam qenë pjesë e grupit parlamentar të pakicave, mirëpo herën e kaluar, deputetët hungarez kishin 5 deputet dhe formuan grupin e tyre. Nuk patëm thjesht gatishmërinë të deputetëve boshnjak që i takonin tre partive të ndryshme dhe një deputeti që i përfaqësonte vllehtë nuk arritëm që të kemi marrëveshje për një grup të përbashkët parlamentar.

Kësaj radhe të shohim, nuk ka ndonjë opsion të madh. Faktikisht nuk ka opsione të shumta por vetëm do të jetë mundësia me tre deputetë të partisë SDA të Rasim Laic që së bashku me dy deputetë shqiptar, teorikisht ekziston mundësia për ta bërë grupin,sepse për grup nevojiten 5 deputetë. Por do të duhet të shikojmë modalitetet dhe mënyrat se a do të kemi interes të përbashkët ta formojmë grupin e përbashkët të boshnjakëve dhe shqiptarëve. Por për këtë gjë mbetet të pritet.

Lajmi.net: A keni marr ndonjë ofertë për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës?

Riza Halimi: Rezultatet para dy ditësh janë shpallur nga KQZ. Fillimisht pritet që kryetari i Republikës Nikolic t’i ftojë kryetarët e partive që kanë hyrë në Parlament, për biseda më shumë protokollare, për t’i paraqitur kriteret mbi të cilat do të nderohet Qeveria e re. Pas këtyre bisedave dhe kur Kryetari i shtetit ja beson mandatin, në këtë rast, qind për qind do të jetë Aleksandar Vucic, tek atëherë do të fillojnë bisedat për formimin e Qeverisë së re.

Ne tash jemi në pritje që të fillojnë takimet e Kryetarit Nikolic me kryetarët e partive parlamentare.

Lajminet: A mendoni se duke qenë pjesë e Qeverisë do të mund që t’i adresoni më mirë problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

Riza Halimi: Së pari fillojmë nga fakti se Partia Progresiste ka shifrat që ta bëjë Qeverinë vet. Thjesht 158 deputetë janë krejtësisht të mjaftueshëm për ta formuar Qeverinë. Tash sa do të jetë interesimi konkret në drejtim të dy deputetëve shqiptarë, do të shohim.

Nuk presim që ne të jemi pjesë e Qeverisë se re por presim të kemi biseda për një bashkëpunim më të mirëfilltë.

Nuk është me patjetër që të jemi pjesë e Qeverisë, por ka shumë mundësi të bashkëpunimit për t’i zgjidhur problemet, për të cilat ne vitin e kaluar i kemi adresuar në kuadër të shtatë temave. Ne jemi të interesuar për ato shtatë tema, ku janë të përfshira të gjitha problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.