Haley: Me veto, Rusia e ka vrarë mekanizmin hetues

Rusia ka paraqitur veto ndaj propozimit të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për ripërtritjen e mandatit të ekipit hetues të OKB-së, i ngarkuar me detyrë për të përcaktuar se kush ishte përgjegjës pë sulmet me armatim kimik në Siri.

Bota

17/11/2017 12:41

Vetoja e mbrëmshme u bë disa orë para mesantës, kur skadonte mandati i Mekanizmit të Përbashkët Investigativ të Kombeve të Bashkuara. Kjo ishte vetoja e 10-të e Moskës në rezolutat e Kombeve të Bashkuara për luftën civile në Siri, prej vitit 2011, kur filloi ky konflikt.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se vetoja tregon se Rusia vazhdimisht e mbronë aleatin e vet Sirinë, që ishte fajësuar për së paku një sulm kimik, prej se kanë filluar hetimet në vitin 2015, në krahasim me mbrojtjen e civilëve sirianë të vrarë nga sulmet e këtilla.

“Rusia e ka vrarë mekanizmin investigativ, që e ka mbështetjen e gjerë të këtij këshilli”, tha ambasadorja Haley.

Prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, 11 prej tyre e kanë mbështetur propozimin amerikan, me të cilin parashihej vazhdimi i mandatit të ekipit hetues edhe për një vit.

“Për miqtë e mij rusë, sulmi i ardhshëm me armatim kimik është në kokën tuaj”, tha Haley dhe ka shtuar se “ju fundamentalisht po i thoni gjithë botës se është në rregull përdorimi i armatimit kimik dhe për këtë gjë ju duhet të ndjeheni të turpëruar”.

Ambasadori i Francës në Kombet e Bashkuara, Francois Delattre, tha se vetoja ruse është goditje për përpjekjet ndërkombëtare për ta ndalur përdorimin e armatimit kimik.

“Të mos ketë dyshim: ne e kemi liruar përbindëshin këtu”, tha Delattre.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, është përgjigjur duke thënë se mekanizmit investigativ i duhet një rishikim i përgjithshëm, përfshirë mandatin për sigurim të provave të dorës së parë për përdorim të armatimit kimik, e jo nëpërmjet palëve të përfshira në konflikt.

Nebenzya ka vlerësuar se ky mekanizëm është “strukturë kukull”, për të cilën ai tha se mund të manipulohet nga perëndimi.

“Në bazë të informacioneve të rrejshme, kohë pas kohe. ai do ta akuzojë Qeverinë e Sirisë për shkelje të normave ndërkombëtare”, tha Nebenzya.

Rusia ishte tejet kritike ndaj gjetjeve të ekipit hetues se Qeveria e Sirisë e ka përdorë gazin klor në së paku dy sulme në periudhën 2014-2015, dhe në një sulm ajror e ka përdorë gazin sarin në Khan Sheikhun, prillin e kaluar, me ç’rast janë vrarë afro 100 njerëz.

Siria vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat se ka përdorë armatim kimik. Ekipi investigativ, po ashtu, ka gjetur se grupi ekstremist, Shteti Islamik, ishte përgjegjës për një sulm me gaz helmues në vitin 2015.

Pasi Rusia i paraqiti veto propozimit amerikan për vazhdimin e mandatit, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, më vonë, votoi kundër rezolutës rivale të përgatitur nga Rusia, për rishikimin e mekanizmit hetues.

Në favor të këtij propozimi votuan vetëm katër vende: Rusia, Kazakistani, Bolivia dhe Kina, ndërsa për miratim i duheshin së paku 9 vota.

Pas votimit, Japonia e paraqiti një tjetër propozim për vazhdimin e mandatit të ekipit hetues për një muaj, në mënyrë që të zhvilloheshin negociata për gjetjen e ndonjë kompromisi, kanë thënë diplomatët.

Por, nuk është e qartë se kur dhe nëse Këshilli i Sigurimit do të votojë për këtë masë të përkohshme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ta mbështes vazhdimin e punës së ekipit për hetime.

Në rrjetin Twitter, pak kohë para votimit, zoti Trump ka shkruar se kjo do të “sigurojë” se regjimi i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, “nuk kryen më kurrë vrasje masive me armatim kimik”.