Hakerët shqiptarë sulmojnë sajtin e Kishës Ortodokse Serbe

Në sajt kanë dalë në shqip dhe anglisht fjalët „Grupi i Luftëtarëve Kosovarë (Kosovo Warriors Group) me muzikë dhe tekst në dy gjuhët. Një tekst në serbisht, me shkronja cirilicë, thoshte „shqiptarët kërkojnë territoret e veta“ dhe „Kosova është Shqipëri“.

Lajme

13/02/2014 07:28

Hakerët shqiptarë kanë kryer sulmin më të madh deri më tani në sajtin e Kishës Ortodokse Serbe.

Agjencia serbe e lajmeve Srna raporton se një sulm i tillë ndaj këtij sajti nuk ka ndodhë deri më tani, ndërsa sipas Kryeredaktorit të këtij sajti, Atit Radomir Rakic, sulmi është kryer dy ditë më parë.

Sipas tij, në sajt kanë dalë në gjuhën shqipe dhe atë angleze fjalët „Grupi i Luftëtarëve Kosovarë” (Kosovo Warriors Group) me muzikë dhe tekst në gjuhën shqipe dhe angleze.

Një tekst në gjuhën serbe, me shkronja cirilicë, thoshte se „shqiptarët kërkojnë territoret e veta“ dhe se „Kosova është Shqipëri“.

„Sajti ka qenë i mbrojtur mirë. Kemi pasur sulme edhe më herët, por askush deri më tani nuk k aarritur ta vendosë logon e vet me emërtimin e grupacionit. Nuk mund t’i biem në gjurmë prej nga ka ardhë ky sulm“, ka thënë Rakic.

Sipas një eksperti të Kishës Ortodokse për sajtet, fjala është për sulmin më të organizuar në serverin e sajtit të Kishës Ortodokse në të cilin, sipas tij, kanë marrë pjesë një grup njerëzish.