Hajvalia kërkon Suarezin

Luis Suarez është suspenduar nga FIFA dhe nuk do të mund të luajë në katër muajt e ardhshëm. Mirëpo, klubi kosovar Hajvalia ka shprehur interesim për transferimin e përkohshëm të tij.

Sport

30/06/2014 11:32

Klubi nga Superliga e Kosovës në futboll, Hajvalia është e interesuar për transferimin e sulmuesit të suspenduar të Liverpoolit, Luis Suarez.

Ylli i Uruguait është i dënuar me nëntë ndeshje moslojë (një prej tyre tashmë e ka shërbyer) dhe katër muaj suspendim nga qfarëdo aktiviteti i futbollit, pasi u shpall fajtor nga FIFA për kafshimin e mbrojtësit të Italisë, Giorgio Chiellini, në duelin e tyre të fundit në kuadër të Grupit D në Kampionatin botëror.

Andaj, Hajvalia është paraqitur si klub i interesuar për të transferuar përkohësisht Suarezin.

“Suarezi nuk mund të luaj në katër muajt e ardhshëm. Mirëpo, pasi që ne nuk jemi të pranuar ndërkombëtarisht, besoj se ai do të ketë të drejtë të luaj në Kosovë dhe kemi përgatitur një ofertë që do t’ia dërgojmë Liverpoolit,” ka thënë Xhavit Pacolli, drejtor i këtij klubi për të përditshmen sportive, Sport Plus.

Sipas kësaj gazete, Hajvalia do t’i ofrojë Liverpoolit, 30 mijë dëmshpërblim Liverpoolit, derisa 1 mijë e 500 euro rrogë mujore Suarezit.