Hahn për korrigjimin e kufijve: BE nuk spekulon rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi

Zgjidhja e çështjes së Kosovës nuk është parakushti i vetëm në rrugën e Serbisë për në Bashkimin Evropian.

Lajme

22/10/2018 09:07

“Zbatimi i reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe qeverisjes së mirë mbetet thelb në procesin e zgjerimit”. Kështu ka thënë komisioneri evropian, Johannes Hahn.

Hahn ka theksuar se presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker ka bërë vazhdimisht të qartë se asnjë shtet i ri anëtarë nuk mund t’i bashkohet BE-së, pa zgjidhur çështjet e hapura dypalëshe, transmeton lajmi.net.

“Për Serbinë kjo do të thotë se është e nevojshme që ta përfundojë dhe zbatojë në mënyrë të përhershme një marrëveshje ligjore me Prishtinës. Por më lejoni të them një gjë tjetër, duket se shumë politikanë kanë përshtypjen se zgjidhja e çështjes së Kosovës është kushti i vetëm për Serbinë në BE. Ky nuk është rasti. Zbatimi i reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave themelore dhe qeverisja e mirë mbeten në thelb të procesit të zgjerimit”, është shprehur Hahn.

Hahn nuk iu ka përgjigjur pyetjes se kur pritet të realizohet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës e as për çështjen e korrigjimit të kufijve, duke thënë se BE-ja nuk spekulon mbi elementet e mundshme të një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të detyrueshme.

Megjithatë, ai ka theksuar se BE mbështet plotësisht dialogun Beograd-Prishtinë dhe se marrëveshja përfundimtare nënkupton një zgjidhje të qëndrueshme dhe realiste në përputhje me ligjin ndërkombëtar. /Lajmi.net/