Hahn: Njohjet nga 5 shtetet e BE-së, prioritet i imi

Udhëheqja e re e Komisionit Europian do të përkujdesët që të sigurojë njohjet e 5 shteteve të BE-së për Kosovën. Komisioneri për Politika të Fqinjësisë, Johanes Hahn thotë se në muajin e parë të mandatit të ri, do të bisedojë me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që të mos ketë probleme me integrimin e këtij shteti. 

Lajme

03/10/2014 14:47

Johanes Hahn thotë se do të bisedojë me vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Pohon se kjo do të jetë punë e tij në muajt e parë të punës.

Pesë vendet e BE-së të cilat vazhdojnë të mbajnë qëndrim kundër pavarësisë së Kosovës pritet të përballen me presionin e Brukselit që ta ndryshojnë pozicionin e tyre.

Sipas gazetës serbe Veçernje Novosti, ky qëndrim vjen pas deklaratave të të para të Komisionerit për Politika të Fqinjësisë, Johanes Hahn, i cili ka thënë se pret ndryshim të të këtyre shteteve dhe ka theksuar se personalisht do ta diskutojë këtë çështje me shefen për politikë të jashtme Frederika Mogerini.

“Duke u përgatitur për këtë post, kam kuptuar se ndoshta në bisedimet me qeveritë e këtyre pesë shteteve, te shohim se ku qëndrojmë për momentin, sa ato janë fleksibile dhe cilat janë hapat e mundshëm me qëllim që gjendja të përmirësohet, në mënyrë që mos të kemi pengesa në bisedimet dhe punën e mëtutjeshme me Kosovën. Kjo do të jetë pjesë e punës time në disa muajt e parë, ka thënë Johanes Han.

Në çështjen e Kosovës, shihet më së miri, mosuniteti i vendeve anëtare të bashkimit Evropian, andaj Brukseli në periudhën vijuese do të mundohet që të bëjë diçka në këtë drejtim. Megjithatë, vështirë është të mendohet se do të mund të ndryshohet diçka seriozisht, duke ditur qëndrimet e ngurta të Qipros, Rumanisë, Spanjës, Greqisë dhe Sllovakisë. si dhe gjendjen në terren, në momentin kur po shtohen apetitet rajonale, siç është rasti i Katalonisë.

Johanes Hahn, ka falënderuar paraardhësin e tij, Shtefan Fyle, por nuk ka shkuar më përpara se ai, në raport me Serbinë. Sipas gazetës Novosti, në raportin vjetor që do të publikohet javën e ardhshme, propozohet që në negociatat e BE-së me Serbinë, më në fund të hapet kapitulli i parë, cili kërkon edhe normalizimin e raporteve me vendet fqinje.