Hahn në Maqedoni: Zgjedhje në fillim të vitit të ardhshëm, për dalje nga kriza

Pas 8 orë bisedime, Komisari për politikë fqinjësore evropiane dhe negociata për zgjerim, Johannes Hahn tha se është shumë afër zgjidhjes së krizës dhe se ka mundësi që në prill të vitit të ardhshëm të mbahen zgjedhje të parakohshme.

Lajme

02/06/2015 19:14

Hahn deklaroi se përfundimisht është arritur marrëveshje për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Sipas tij, detajet për atë se kush do ti organizojë zgjedhjet dhe kush do të jetë në krye të Qeverisë do të diskutohen në një takim të radhës që do të zhvillohet në Bruksel gjatë javës së ardhshme.

Hahn deklaroi se takimi ka qenë konstruktiv dhe se sipas tij, deri në mbajtjen e zgjedhjeve do të pastrohet lista zgjedhore, dhe do të mundësohet një atmosferë për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Katër liderët e partive politike mbështetën deklaratën e eurokomisionerit Hahn. Nuk janë dhënë detaje tjera nga takimi që ka zgjatur rreth tetë orë.

Pas deklaratës, Hahn ka lëshuar rezidencën e BE-së, ndërsa liderët e katër partive gjithashtu janë larguar duke mos dhënë detaje nga takimi. /Alsat-M/