Hahn: Maqedonia është në rrugë të mirë drejt integrimit evropian

Pas të gjitha ngjarjeve dëshmitar i të cilave isha në këtë vend, jam i gëzuar që mund të shoh një dinamikë të re të ngjarjeve drejtuar nga përmirësimi i jetës për të gjithë qytetarët e vendit. Mesazhi im sot për të gjithë është që të përqendrohemi në detyrat që na presin. Të gjithë aktorët përgjegjës, e këtu i përfshij edhe opozitën dhe gjyqësorin dhe institucionet tjera duhet të punojnë në krijimin e shoqërisë moderne që do të funksionojë mirë për të mirën e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre.

Lajme

26/06/2017 16:47

Ky ishte mesazhi i euro-komisarit për politikë të fqinjësisë dhe negociata për zgjerim të Bashkimit Evropian Johannes Hahn gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, pas pjesëmarrjes në mbledhjen tematike të qeverisë kushtuar prioriteteve urgjente reformuese për integrimet evropiane të Maqedonisë.

Ai paralajmëroi se nesër në Shkup do të arrijë Reinhard Priebe me ekipin e ekspertëve që do të ndihmojnë lidhur me prioritetet në fjalë, qëllimi i të cilëve, siç tha, nuk është që të kënaqet BE-ja, porse përmirësimi i kushteve të jetës për qytetarët. Një ditë më vonë në vend do të arrijë edhe një delegacion i Drejtorisë për zgjerim pranë Komisionit Evropian.

Hahn i lavdëroi hapat reformues të Qeverisë me vizitat në Bullgari dhe Greqi sepse, siç tha, me rëndësi esenciale është vendosja e raporteve të mira me fqinjët.

Kryeministri Zaev theksoi se Qeveria po hap një kapitull të ri lidhur me reformat për integrimet evropiane, kurse prania e Hahnit në mbledhjen e Qeverisë paraqet sinjal të fuqishëm se integrimi evropian nuk është më ëndërr, porse një realitet.