Hahn ja kujton kushtet për anëtarësim, Nikoliq përmend “Shqipërinë e Madhe”

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka shfrytëzuar takimin e sotëm me komisionerin e BE-së për Politika Fqinjësore dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, për ta shfaqur propagandën e tij nacionaliste kundër shqiptarëve.

Lajme

07/05/2015 14:36

Përveç bisedimeve lidhur me negociatat e Serbisë për anëtarësim në Bashkim Europian (BE), Nikoliq nuk e ka lënë pa e përmendur idenë e tij për kinse rrezikun që i kanoset rajonit nga “Shqipëria e Madhe”.

“Shqipëria e Madhe e rrezikon direkt sovranitetin e Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë. Presim nga ju që të respektoni mosndryshimin e kufijve”, ka thënë Nikoliq, transmeton lajmi.net.

Ndërsa duke mos dashur të komentojë lidhur me këtë temë, Hahn gjatë takimit të tij me Nikoliqin në Beograd ja ka përsëritur kushtet që duhet t’i plotësojë Serbia për anëtarësim në BE. Ai ka thënë se rruga e Serbisë drejtë anëtarësimit ndahet në dy anë të medaljes; njëra i përfshinë reformat shtetërore në të gjitha fushat, ndërsa tjetra, respektimi i marrëveshjes së Brukselit, si dhe përmirësimi i raporteve me Kosovën.

Komisioneri Hahn po qëndron sot në Serbi për të diskutuar lidhur me procesin e bisedimeve Beograd-Bruksel, për anëtarsimin e këtij shteti në BE.