Hahn: Ballkani s’mund të bëhet “parking” për refugjatë

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, u ka bërë thirrje shteteve të BE-së që të qëndrojnë të qeta dhe të luftojnë së bashku krizën me migrantë.

Bota

17/09/2015 17:41

“Ballkani perëndimor nuk duhet të bëhet parking për refugjatët. Ky do të ishte një gabim i rëndë gjeostrategjik. Kemi nevojë për koka të ftohta dhe jo retorikë të ashpër”, u ka thënë Hahn gazetarëve në Bruksel.

Komentet vijnë pasi Hungaria ka mbyllur kufirin me Serbinë, në përpjekje për të ndaluar migrantët.

Mbi 7,300 njerëz kanë hyrë në Kroaci nga Serbia brenda 24 orësh, pas përleshjeve të së mërkurës midis policisë hungareze dhe refugjatëve.

“Kroacia nuk do të jetë në gjendje të pranojë më njerëz”, ka thënë sot ministri i Brendshëm kroat, Ranko Ostojiq.

Në qytetin lindor kufitar Tovarnik, policia kroate ka bërë përpjekje të mbajë nën kontroll turmat e njerëzve.

Disa prej tyre kanë thyer kordonin policor./REL/