Hague e përgëzon Jahjagën

Duke e cilësuar punën e këtij Këshilli në këtë rrafsh si thelbësore në mbështetje të të mbijetuerve dhe adresimin e mungesës së llogaridhënies, Sekretari i jashtëm britanik, William Hague, e ka vlerësuar këtë nismë të Jahjaga si një përparim të rëndësishëm.

Lajme

11/03/2014 10:45

Sekretari i jashtëm britanik, William Hague, e ka përgëzuar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, për themelimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, ka njoftuar presidenca.

Duke e cilësuar punën e këtij Këshilli në këtë rrafsh si thelbësore në mbështetje të të mbijetuerve dhe adresimin e mungesës së llogaridhënies, Hague e ka vlerësuar këtë nismë të Jahjaga si një përparim të rëndësishëm, transmeton RFE.

“Është një përparim i rëndësishëm, që prej vizitës sime në Kosovë vitin e kaluar, kur ju shpjeguat se vendi juaj vazhdon të përballet me një numër sfidash në adresimin e çështjes së dhunës seksuale gjatë konfliktit”, ka shkruar zoti Hague, duke shtuar se “Mbijetuesit ende duhej të njihen si kategori në kuadër të Ligjit për Dëshmorët, Veteranët dhe Viktimat Civile të Luftës”.

Mëtutje ai ka shkruar se “niveli i hetimeve dhe ndjekjes penale mbi dhunën seksuale gjatë luftës mbetet i ulët dhe stigma sociale që rrethon krimet e tilla kanë penguar rehabilitimin, qasjen në drejtësi dhe reintegrimin socio-ekonomik të mbijetuesve”, dhe ka uruar që Këshilli të ketë mundësinë t’i trajtojë këto çështje.