Guxoni të ndryshoni

Albin Kurti konstatoi se kur fiton Shpendi, fiton Prishtina. Ai tha se nuk ka kurrfarë logjike për t’i dhënë shancë të re zhgënjimit të vjetër. E Shpendi kërkoi guxim për ndryshim.

Lajme

03/10/2013 18:24

Në ambientin e hapur para Biblotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Kandidati i saj për Prishtinën, Shpend Ahmeti, tha para përkrahësve të tij se kudo që shkojnë nëpër komuna, shohin se qytetarët janë të zhgënjyer në institucione, në politikë, e më e keqja, sipas tij, qytetarët kanë filluar të zhgënjehen edhe në njëri-tjetrin.

“E kjo është më e keqja që mund t’i ndodhë shtetit”, tha ai.

“A duhet të na vdesin njerëzit, që të kuptojmë se kjo çka ka ndodhur me Prishtinën është e papranueshme?”

Shpend Ahmeti ka shpalosur 17 pika e programit të Vetëvendosjes për Prishtinën.

“Ne duhet të vendosim: A do të vazhdojmë të zhgënjehemi me njëri- tjetrin, a do të vazhdojmë të zhgënjehemi në politikë dhe të ikim nga politika, sepse na e kanë zaptuar disa të korruptuar që qëndrojnë edhe në Qeverinë qendrore dhe në Qeverinë lokale? A do të vazhdojmë me këtë gjendje apo do të bëjmë ndryshimin?”

“Apo, do të guxojmë të ëndërrojmë?”

“A do të guxojmë që së bashku ta paramendojmë Prishtinën me ujë? Guxoni ta paramendoni Prishtinën ku nuk keni frikë ta shihni fëmijën që të shëtisë në rrugë, të siguroheni se çanta nuk i ka 15 kg, por librat e presin në shkollë. Guxoni ta lëshoni fëmijën tuaj edhe pa shujtë, sepse shujta e pret në shkollë, shujta e prodhimeve vendore.”

“Guxoni ta paramendoni Prishtinën me transport publik dhe transporti urban që shtrihet në çdo lagje të qytetit”.

“Guxoni të paramendoni se ajo është e drejtë e juaja dhe nuk është privilegj i disave. Guxoni të paramendoni se nuk do të ketë ndërtime paleje”.

“Nëse sot e paramendojmë Kosovën e pakorruptuar, të gjithë nesër së bashku do ta bëjmë”.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se me fitoren e Shpendit, fiton Prishtina dhe qytetarët e saj.

“Jemi mbledhur këtu bashkë me Shpendin, e rreth Shpendit, këtij njeriu e aktivisti, këtij qytetari të përgjegjshëm, këtij Kryetari të Prishtinës”.

“Kur fitojnë partitë tjera, fitojnë partitë tjera. Kur fiton Vetëvendosje, fiton Prishtina, fitojnë shqiptarët, fiton populli, fiton krejt Kosova”.

“Ne jemi bërë bashkë që të ndryshojmë Prishtinën për hir të Prishtinës dhe besoj që kjo është formula e suksesit”.

Albin Kurti ka folur edhe për Isa Mustafën.

“Nuk ka kurrfarë logjike për t’i dhënë shancë të re zhgënjimit të vjetër. Nuk ka asgjë racionale për një mandate të ri për këtë Kryetar të vjetër” .

“Ne kemi nevojë për Kryetar të ri, i  cili e ndal mafinë e ndërtimit dhe e zbraps atë. Ne kemi nevojë për Shpend Ahmetin për Kryetar të Komunës së Prishtinës”.

“Shpendi është ndryshe e Vetëvendosje është alternativa”.