Guvernatori i Kosovës: Nevojiten 100 milionë euro për pensionet e veteranëve, nuk i kemi

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ka folur për pensionet e veteranëve.

Lajme

30/09/2016 17:57

Ai thotë se duhet reformë e skemës aktuale në të kundërtën do duhet edhe 50 milionë euro përveç 50 milionëve që janë ndarë, e që sipas tij kjo nuk do të ishte e qëndrueshme për Kosovën.

Hamza shkon edhe më tej, thotë se konfigurimi i shifrës së atyre që sakrifikuan për vendin është përtej asaj që është arsyeshme, raporton lajmi.net

“Qeveria ka mbajtur nën kontroll tavanet e shpenzimet  përkundër presioneve për pensionet e veteranëve të luftës. Por, për momentin shpenzimet mbesin nën kontroll dhe presim këtë vit rrjedhimisht një deficit prej 55 deri 85 milionë euro, varësisht nëse Qeveria i  ekzekuton shpenzimet e paraparë apo jo. Por, përgjithësisht kjo është një performancë shumë e mirë”, tha Hamza.

“Por, megjithatë ekziston një çështje madhore e hapur për Buxhetin e vitit 2017 . I kemi ndarë 50 milionë euro për Skemën e veteranëve të luftës dhe invalidëve të luftës, 50 milionë euro janë më shumë se që kemi menduar që është ideale, por mendoj se 50 milionë euro janë të qëndrueshme, besojmë që mund ti akomodoj Buxheti ato. Por,  realiteti është se nëse Skema e veteranëve të luftës dhe invalidëve të luftës nuk reformohet, nëse kjo Skemë nuk reformohet atëherë shpenzimi për këtë kategori do të jetë më i madh sesa 50 milionë. Prandaj, ky Buxhet kushtëzohet me një reformë, varët nga një reformë dhe ne presim që kjo Skemë të reformohet për 3 arsye:  Së pari për të mirën e Buxhetit dhe për të mirën e qëndrueshmërisë fiskale, pa reformë të tillë do të shpenzohen 100 milionë euro në këto Skema dhe deficitet do të rriten dhe do të dalin nga kontrolli ynë. Do të mund të përfundojmë me deficit prej 150 milionë euro për vitin e ardhshëm dhe kjo nuk do të mund të jetë e qëndrueshme dhe as e  dëshirueshme. Arsyeja e dytë është që se mendojmë se vendi, shteti i Kosovës nuk do të duhej të paguante 100 milionë euro në vit për 30 vitet e ardhshme për të siguruar që të rinjtë nuk punojnë, ose që të rinjtë të punojnë në ekonominë nën hije, joformale dhe të marrin para publike. Dhe ne mendojmë që ky nuk është shpenzim i parasë publike. Kështu që për të mirën e Buxhetit dhe për të mirën e vendit, ne shpresojmë që këto skema do të reformohen”, tha ai.

“Ne e kuptojmë dhe e pranojmë që ata që kanë sakrifikuar për këtë vend duhet të vlerësohen dhe të meritojnë vlerësim, por mënyra siç është konfiguruar kjo dhe shifrat siç janë paraqitur, mendojmë që janë përtej asaj që është e arsyeshme dhe e qëndrueshme”, tha Guvernatori i Kosovës, raporton lajmi.net