Guvernatori i BQK-së i mëson fëmijët si t’i përdorin drejt paratë

Në Kosovë u shënua të enjten “Java Ndërkombëtare e Parasë”, aktivitet ky i cili shënohet në tërë botën.

Lajme

12/03/2015 20:03

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, si pjesë e Organizatës Ndërkombëtare për Fëmijë dhe të Rinj, në kuadër të aktiviteteve të saj edukative-financiare, shënoi fillimin e kësaj jave me fëmijët e ciklit të ulët të shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza.

Guvernatori iu drejtua fëmijëve me një fjalë rasti, ku mesazhi kryesor ishte përdorimi i drejtë i parasë.

Fëmijët pastaj punuan në grupe, ku secili prej tyre shpalosi idetë dhe njohuritë rreth parasë dhe kursimeve.

Qëllimi kryesor i shënimit të kësaj jave është fuqizimi i gjeneratave të reja, që të jenë të përgjegjshëm dhe qytetarë me njohuri ekonomike.

Këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me qëllim të angazhimit të fëmijëve dhe të rinjve për të mësuar se si funksionon paraja, duke përfshirë këtu kursimet, menaxhimin e parasë, punësimin, të qenit ndërmarrës, bankat etj.