Gurë e asfalt mbi trupat e të vrarëve

Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se në varrezën masive në Rashkë të Serbisë, në vetëm 80 centimetra prej murit skajor të saj janë nxjerrë katër kufomat e para përnjëherë. Aty dyshohet të jenë rreth 250 mbetje mortore.

Lajme

15/12/2013 09:22

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Arsim Gërxhaliu, ka bërë të ditur se në varrezën masive të zbuluar në Rashkë të Serbisë janë nxjerrë katër kufomat e para.

Gërxhaliu, i cili ka marrë pjesë në misionin e parë pesëditor të hapjes së kësaj varreze masive në qytetin e Rashkës, ka thënë për “Kosova Sot” se aktualisht nuk mund të flitet për numrin e saktë të kufomave që mund të jenë në këtë varrezë masive, por bazuar edhe në deklaratën e zyrtarit serb Bruno Vekariq para tri vjetësh në këtë varrezë masive pritet të zhvarrosen rreth 250 apo më shumë mbetje mortore të viktimave që janë bartur aty nga ushtria dhe policia serbe.

“Tash për tash me rëndësi është identifikimi i saktë i lokacionit dhe gjetjes së kufomave të para, kurse se sa do të zgjasë krejt përpunimi i varrezës masive është një proces që do të marrë kohë relativisht të gjatë, edhe për shkak të stinës në të cilën është nisur por edhe për shkak të vetë objektit dhe terrenit ku duhet bërë kjo hapje e tërësishme e varrezës së fshehur”.

“Qëllimi ynë i këtij pesëditori ka qenë që ta gjejmë vendin dhe ta konfirmojmë informatën e saktë që saktësisht aty gjendet varreza masive”.

“Ne kemi pasur tri lokacione të dyshimta, por kjo ka qenë e para që është dashur të kontrollohet dhe dy të tjera i kemi lënë për stinën e pranverës, mirëpo me gjetjen e mbetjeve të para mortore, ne faktikisht e vërtetuam edhe informatën e dëshmitarëve se mbetjet mortore gjenden në ndërtesën e ndërtuar pasluftës”.

“Në vetëm 80 centimetra prej murit skajor të saj i kemi dërguar ekskavatorët, ku janë nxjerr katër kufomat e para përnjëherë”.

“Kjo do të thotë se ne fillimisht do të jemi në pjesën skajore dhe presim që edhe në thellësinë e ndërtesës të ketë akoma më shumë. Meqenëse tash u gjetën mbetjet mortore, kjo fazë kalon në duart e prokurorit për krimet e lutës dhe javën tjetër pritet të mbahet edhe një takim me strukturat e EULEX’it dhe zyrtarët serbë, për të parë se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm në këtë drejtim”, ka thënë Arsim Gërxhaliu për “Kosova Sot”.