Günter Grass iku pa u vlerësua!

Në Gjermani Günter Grass është përceptuar së fundi si autor plak, grindavec. Rrëfimi i tij se kishte qenë SS, e dëmtoi imazhin e tij. Dje ai iku nga kjo botë. Vepra nuk iu vlerësua thuajse fare. Gabim!

Opinion

14/04/2015 16:52

Është një pyetje interesante, se si do të gjykohej sot për shkrimtarin Günter Grass, sikur ai të kishte qenë pak më i përmbajtur me vërejtjet e tij politike. Dhe për më tepër sikur të kishte folur në një fazë më të hershme për përkatësinë e tij në SS. Ndoshta sot e gjithë Gjermania do të ishte krenare për këtë autor. Krenar për autorin e romanit “Die Blechtrommel”, “Daullja prej teneqeje”, krenar për laureatin e “Nobelit” në letërsi dhe shkrimtarin e rangut botëror.

A është Gjermania ende krenare për Grassin? Edhe pse shkrimtari tani nderohet në shumë nekrologji, shumëkush seç ndjen një pakënaqësi. Ajo ka tri shkaqe.

Dëshira për të provokuar

Së pari: Grass është përplasur shumë shpesh. Politikisht shpesh e ka kaluar cakun. Natyrisht që ishte e drejta e tij. Dhe ndoshta edhe detyra e një autori kritik, i cili shkruante libra në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. Por Grass nuk është angazhuar vetëm për socialdemokracinë dhe të drejtat e njeriut, tema, që do t’i pranonin dikur edhe ata, që kishin pikëpamje të tjera politike.

Shkrimtari ka shkuar aq shpesh në skaj me subjektet e veta, si në art ashtu edhe në apelin ndaj opinionit, saqë i bënte shumë kundërshtarë politikë të humbisnin durimin.

Günter Grass u ankua edhe kundër ribashkimit gjerman. Tepër shpejt, thoshte atëherë nga Lybeku. Grass është deklaruar që të mbaheshin fillimisht të dyja shtetet gjermane. Edhe mendimi i Grassit për Izraelin shkaktoi zemeratë, që vendi është luftënxitës dhe rrezikon paqen në botë – për Iranin dhe fuqitë e tjera arabe asnjë fjalë.

Edhe me shprehjet për vizitën e Helmut Kohls në një varrezë të ushtarëve, të cilën e cilësoi si falsifikim të historisë, u bë i papëlqyeshëm.

Grass paraqitej si ndërgjegja e kombit. Të paktën shumëkush mendonte kështu. Dhe meqënëse Grass, ishte një natyrë tjetër nga kolegu i tij letrar Heinrich Bëll, me temperament, për të mos thënë i prirur gjithmonë për të provokuar, me fjalimet dhe prezantimet e tij provokone gjysmën e Gjermanisë.

Pranim i vonuar

Së dyti: Kur shkrimtari në tekstin e tij autobiografik “Mbi qërimin e qepës” në vitin 2006 pohoi se në vitet e rinisë ishte bashkuar me SS, dëmi qe i madh. Pikërisht ai predikuesi i ndërgjegjes së pastër, kështu e konsideronin atë shumë njerëz, paska heshtur për të kaluarën e tij, kjo ishte tepër. Që Grass nuk e kishte fshehur këtë anëtarësi, kur ka qenë burgosur nga aleatët amerikanë, dhe e ka pranuar më vonë edhe para kolegëve të tij shkrimtarë, nuk e ndihmoi dot më. Një predikues i historisë, që anashkalon historinë e vet, kjo ia prishi shumë reputacionin në një pjesë të opinionit publik.

Në luftë me kritikën letrare

Arsyeja e tretë, për imazhin e dëmtuar në vendlindje të laueratit me çmimin Nobel në letërsi nuk duhet nënvlerësuar. Grass kishte hyrë që heret në sherr me kritikën letrare në vend. Dhe meqenëse kritiku më me ndikim i Gjermanisë Marcel Reich-Ranicki dhe organi i tij shtëpiak “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, gazeta e cila nga shumë konsiderohet si zëri më i rëndësishëm intelektual i vendit, e kritikonte vazhdimisht, imazhi i shkrimtarit merrte vazhdimisht një ngjyrim negativ.

Lëndimet, që u krijuan te të dyja palët, nuk i shëronte dot më asgjë. Gjykimi i Reich-Ranickit dhe i pasuesve të tij ishte se Grassi pas romanit “Blechtrommel” dhe novelës “Macja dhe miu”, si dhe etydit letrar “Takimi në Telgte” nuk kishte krijuar më diçka me rëndësi letrare. Studjuesit e letërsisë dhe shumë ekspertë jashtë vendit kishin tjetër mendim. Por në Gjermani e sundonte Reich-Ranicki opinionin e publikut.

Vështrim në veprën letrare

Pa dyshim që Günter Grass me mënyrën e tij autoritare dhe gjithnjë e më kokëfortë në pleqëri ka kontribuar vetë për krijimin e një imazhi të tillë. Pranimi prej tij vonë për përfshirjen në SS ka qenë një gabim i madh. Megjithatë kjo nuk ndryshon asgjë në faktin, që Günter Grass për dekada me rradhë bënte pjesë te autorët jo të shumtë gjermanë, që lëviznin në nivelin botëror të letërsisë. Shkrimtarë të famshëm si Salman Rushdie, John Irving dhe të tjerë janë frymëzuar nga Grass.

Tani që përkujtohet i vdekuri, duhen vështruar në rradhë të parë romanet dhe tregimet, novelat dhe lirika e tij. Günter Grass ka qenë pa dyshim një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të gjuhës gjermane pas luftës së dytë botërore.

(Marrë nga Deutsche Welle)