Guardiola, trajner perfekt

Mesfushori i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri ka pranuar se kënaqet duke punuar me Pep Guardiolën. 22-vjeçari ka bërë vetëm gjashtë paraqitje gjatë këtij sezoni – për shkak të lëndimit që pësoi muajin e kaluar në ndeshjen mes Zvicrës dhe Shqipërisë –  duke i ndihmuar gjigantit bavarez të ngjitet në krye të tabelës në Bundesligë. Bayern…

Sport

17/11/2013 17:28

Mesfushori i Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri ka pranuar se kënaqet duke punuar me Pep Guardiolën.

22-vjeçari ka bërë vetëm gjashtë paraqitje gjatë këtij sezoni – për shkak të lëndimit që pësoi muajin e kaluar në ndeshjen mes Zvicrës dhe Shqipërisë –  duke i ndihmuar gjigantit bavarez të ngjitet në krye të tabelës në Bundesligë.

Bayern ka katër pikë më tepër se rivali Borussia Dortmund, dhe është kualifikuar për në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, dy ndeshje para përfundimit të rrethit të grupeve.

Shaqiri – i cili është rikthyer në stërvitje të premten – ka insistuar se Guardiola tashmë ka filluar të ketë ndikim tek skuadra, që përgatitet për duelin me Dortmundin të shtunën e ardhshme.

“Mendoj se Pep Guardiola është trajner shumë i mirë, ai është trajner i ri por i shkëlqyeshëm. Ai ka fituar çdo titull në Spanjë, Ligën e Kampionëve dhe shumë tituj të tjerë”, deklaroi Shaqiri.

“Mendoj se ai është trajner perfekt për Bayern Munichun dhe ne kënaqemi duke punuar së bashku në stërvitje, që është shumë e rëndësishme, sepse kënaqemi edhe gjatë ndeshjeve, andaj për këtë arsye mendoj se është trajner perfekt. Mendoj se me ndihmën e tij ne do të fitojmë shumë tituj, njësoj sikurse edicionin e kaluar”, përfundoi ylli kosovar.