Guardiola rikthehet në Barcelonë

Pep Guardiola do të niset me një aeroplan privat drejt Barcelonës për të shprehur nderimet e tij për shokun e tij Tito Vilanova, i cili vdiq të premten nga kanceri.

Sport

26/04/2014 18:45

Pep Guardiola do të rikthehet në Barcelonë për të nderuar shokun e tij të ndjerë, Tito Vilanova.

Ish asistenti i tij në kohën sa ishte në drejtim të gjigantit katalan, Vilanova, vdiq të premten pas një beteje të gjatë me kancerin.

Guardiola, i cili sot udhëhoqi Bayern Munichun drejt fitores ndaj Werder Bremenit me rezultat të thellë 5:2, do të udhëtojë drejt Barcelonës, me një aeroplan privat, për të shprehur nderimet e tij për Vilanovën, në stadiumin Camp Nou, njësoj siç kanë bërë sot futbollistët dhe stafi i klubit.

Nisja e Guardiolës drejt Barcelonës është parashikuar për në ora 19 ose 20, ndërsa rikthimi në Munich, pas mesnatës.

Guardiola ishte i afërt me Vilanovën, i cili u bë pasardhës i tij në postin e trajnerit të Barcelonës, duke udhëhequr ekipin drejt një titulli të kampionit në La Ligë para se të tërhiqej nga posti për të luftuar sëmundjen, që në fund e mposhti.