Guardiola mendon katër hapa përpara

Pep Guardiola mendon gjithmonë tre apo katër hapa përpara. Kështu mendon ish bashkëlojtari i tij, Ronald de Boer, sipas së cilit, spanjolli ishte gjeni si lojtar dhe të njëjtën po e bën edhe si trajner.

Sport

22/04/2014 14:17

Ish futbollisti i Barcelonës, Ronald de Boer e ka lavdëruar trajnerin aktual të Bayern Munichut, Pep Guardiola, duke thënë se spanjolli në mënyrë konstante mendon tre apo katër hapa përpara.

43 vjeçari e fitoi Ligën e Kampionëve dy herë me gjigantin katalunas dhe mund të bëhet trajneri i parë në epokën moderne që e fiton këtë trofe për herë të tretë, derisa Bayerni do të luajë me Real Madridin në gjysmëfinale të këtij evenimenti.

De Boer, i cili luajti përkrah Guardiolës në Camp Nou në periudhën 1998 e 2000, thotë se ish përfaqësuesi spanjoll ishte mjaft inteligjent si lojtar dhe tash si trajner.

“Si trajner, Guardiola është gjeni”, deklaroi ish përfaqësuesi holandez për Sport1.

“Si lojtar, gjithmonë ishte inteligjent në fushë. Fizikisht nuk mund të përballej me lojtarët e mëdhenj, por e përdorte zgjuarsinë”.

“Ai gjithmonë mendonte tre apo katër hapa përpara dhe të njëjtën gjë po e bën edhe si trajner”, përfundoi De Bour.