Guardiola me këmbë në tokë: City nuk janë më të mirët në Evropë

Pep Guardiola insiston se Manchester City duhet ta fitojnë Ligën e Kampionëve para se ata të konsiderohen si skuadra më e mirë në Evropë.

Sport

07/12/2018 19:10

Skuadra e spanjollit po konsiderohet si skuadra më e mirë në Evropë nga shumë njerëz që njohin futbollin.

I këtij mendimi ishte edhe trajneri i Chelsea, Maurizio Sarri i cili këtë vikend do të përballet me skuadrën e Guardiolas.

Megjithatë, më i rezervuar është vetë trajneri spanjoll, i cili ende nuk mendon se skuadra e tij meriton epitetin “ më e mira në Evropë”.

“Faleminderit, por nuk jemi më të mirët” ka thënë Pep në konferencën për shtyp, transmeton lajmi.net.

“Të jesh më i miri duhet të fitosh tituj. Ne nuk i kemi fituar titujt që të jemi më të mirët në Evropë” ka thënë tutje spanjolli.

Kujtojmë se Manchester Cityt ende i nevojitet një pikë në Grupin F të Ligës së Kampionëve për të kaluar tutje.

Ndeshjen e radhës në kompeticionin më prestigjioz në Evropë, “Citizens” e luajnë kundër Hoffenheim. /Lajmi.net/