Guardiola: Luajtëm si një skuadër e vogël

Bayern Munichu luajti si një skuadër e vogël, në duel me Eintracht Braunschweigun. Kështu mendon trajneri Pep Guardiola, i cili megjithatë iu gëzua fitores në Bundesligë, që erdhi pas dy humbjesh.

Sport

20/04/2014 16:35

Pep Guardiola thotë se Bayern Munichu u tregua si një skuadër e vogël, në fitoren 2:0 ndaj Eintracht Braunschweig, të regjistruar të shtunën.

Me këtë rast, gjiganti bavarez iu kthye fitores në Bundesligë pas dy humbjesh radhazi.

“Nuk e kishim aspak të lehtë, pasi kundërshtari luajti me topa të gjatë dhe na vuri në vështirësi, duke mos na lënë që ta kontrollonim lojën, ashtu siç kishim planifikuar”, deklaroi fillimisht trajneri spanjoll.

“Ne luajtëm si nj skuadër e vogël. Luftuam për çdo top dhe i morëm tri pikë. Ky ishte objektivi ynë”, vazhdoi ish trajneri i Barcelonës.

Bayerni po bëhet gati për njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, të cilën do ta zhvillojnë të mërkurën mbrëma ndaj Real Madridit, e vlefshme për gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.