Guardiola gëzon Barcelonën

Strategu i Bayern Munichut, Pep Guardiola, beson se trajneri i ri i Barcelonës, Luis Enrique, do të arrijë rezultate edhe më të mira se ai pas marrjes së drejtimit të gjigantit katalan.

Sport

04/09/2014 10:47

Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola është optimist se Luis Enrique është njeriu i duhur për Barcelonën dhe beson se ish strategu i Romës mund të arrijë rezultate edhe më të mira se ai në Camp Nou.

Guardiola udhëhoqi gjigantin katalan drejt 14 titujve gjatë periudhës 2008-2012 – përfshirë tre La Liga dhe dy Liga të Kampionëve – dhe beson se një tjetër epokë e suksesshme mund të jetë në nisje për Barcelonën, pas emërimit të Enriques në postin e trajnerit në verë.

“Sigurisht se mund të më arrijë në Barcelonë, e vlerësoj shumë. Ai do të bëjë punë edhe më të mirë se unë”, deklaroi Guardiola për të përditshmen sportive katalane “Sport”.

“Është me rëndësi për Barcelonën të ketë sërish identitetin e saj, një filozofi që të gjithë e njohim. Mendoj se do ta shohim sërish me Luis Enriquen”, përfundoi ai.