Guardiola: Do të luftojmë deri në fund, nuk e nënvlerësojmë askënd

Pep Guardiola është i vendosur që ta fitojë titullin e Premierligës për herë të dytë me radhë.

Sport

10/02/2019 10:01

Guardiola është i kënaqur me forcën që ka treguar Manchester City në garën për mbrojtjen e titullit dhe ka thënë se fitorja me Chelsean do të ishte vendimtare në luftën e skuadrës së tij me Liverpool.

Një fitore eventuale do ta shihte Cityn me një pikë më shumë se Liverpool në krye të tabelës, por “The Reds” do të kishin një ndeshje më pak të luajtur.

“E di se çfarë ka ndodhur me kampionët në pesë apo gjashtë vitet e fundit. E di se ku kanë përfunduar ata” ka thënë Guardiola, transmeton lajmi.net.

“Të gjithë ata ishin të përjashtuar. Ata nuk kishin shans që të mbronin titullin. Ne jemi aty. Kjo është një prej gjërave që më kënaq këtë sezon” ka thënë tutje spanjolli.

“Njerëzit thonë se kemi nënvlerësuar Newcastle. Jo, jo. Nuk e nënvlerësojmë askënd nëse jemi në finale të ‘Carabao Cup’ dhe në të gjitha kompeticionet” ka thënë ndër të tjerash Pep.

Testi i vështirë i Guardiolas do të jetë sot me fillim nga ora 17:00 kundër Chelseat të udhëhequr nga Maurizio Sarri. /Lajmi.net/