Guardiola befason me deklaratën e tij pas humbjes nga Liverpooli

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola është deklaruar pas humbjes së parë të pësuar këtë edicion në Premierligë.

Sport

14/01/2018 20:26

Ishte skuadra e Liverpoolit që mposhti Cityn e Guardiolas me rezultat 4:3.

Trajneri spanjoll pas kësaj humbje, ka thënë se ende asgjë nuk ka përfunduar në garën për titull, duke i kërkuar skuadrës së tij që t’i marrin një nga një ndeshjet, derisa nuk ka kursyer edhe lëvdatat për Liverpoolin.

“Përgëzime për Liverpoolin. Ndonjëherë ne mendojmë për gabimet tona pas një humbje, por ndoshta duhet të mendojmë edhe sa të mirë janë kundërshtarët”, ka deklaruar Guardiola, duke lëvduar paraqitjen e skuadrës vendase.

“Bëmë paraqitje të mirë, në pjesën e dytë luajtëm me të vërtetë mirë. Por, pas golit të dytë dhe të tretit që shënuan shpejtë e më pas të katërtin, ishte e vështirë për t’u rikuperuar nga kjo. Gjithmonë kam thënë se Liga është e gjatë dhe se asgjë s’ka përfunduar. Ka edhe shumë ndeshje të vështira dhe duhet të fokusohemi ndeshje pas ndeshje”./Lajmi.net/