Guardian: Skënderbeu ka manipuluar ndeshjet e futbollit si askush tjetër në historinë e kësaj loje

E përditshmja prestigjioze londineze The Guardian sot është marrë me çështjen e Klubit të Futbollit Skënderbeu, gjegjësisht me skandalin që ka tronditur futbollin shqiptar.

Sport

19/03/2018 17:15

Për këtë skandal Insporti kishte shkruar më herët duke dhënë detaje se si janë kurdisur ndeshjet dhe kush prej politikanëve ka qenë i përfshirë në kërcënime, manipulime dhe veprime tjera me qëllim të kurdisjes së ndeshjeve, madje duke përmendur edhe se pjesë e këtij raporti është edhe një trajner që aktualisht punon në Kosovë.

Gazetari i Guardianit Nick Ames thotë se ka parë raportin e UEFA-s për manipulimin e ndeshjeve, pavarësisht se ai nuk është bërë publik.Në raport konkludohet se “Skënderbeu ka manipuluar ndeshjet e futbollit si askush tjetër në historinë e kësaj loje”.

Sipas raportit, Skënderbeu ka vepruar praktikisht si një makineri e krimit të organizuar.UEFA nuk e ka konfirmuar dhe as e ka mohuar autenticitetin e dokumentit.Në raport theksohet se Skënderbeu ka manipuluar me qëllim përfitime kriminale në shkallë globale.

Sipas raportit, janë fituar miliona dollarë.Po ashtu aty thuhet se ky klub nuk ka respekt për integritetin e lojës.Në raport thuhet se klubi ka ngritur një strukturë të organizuar shumë mirë, me qëllim vjeljen e shumave të mëdha nga bixhozi.