Grupi Punues për Vizat diskuton për Kosovën

Pas votimit pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga Parlamenti Evropian, sot pritet që kjo çështje të diskutohet në kuadër të Grupit Punues për Vizat.

Lajme

17/09/2018 08:30

Sot në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian pritet të takohet Grupi Punues për Viza (COWEB), ku do të diskutohet rreth liberalizimit të vizave për Kosovën, duke bërë që procesi i heqjes së regjimit të vizave për kosovarët të shkojë drejt përfundimit.

Nëse ky Grup Punues e jep pëlqimin për heqjen e vizave, propozimi kalon në nivelin e COREPER-it, në të cilin diskutohet nga ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, shkruan “Zëri”.

Ndërkohë vendimi final merret nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë.

Optimistë se procesit të liberalizmit të vizave po i vjen fundi janë shprehur përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, të cilët për gazetën “Zëri” kanë thënë se tani ky proces është çështje muajsh.

Ndërkaq sipas njohësve të integrimeve evropiane vendimi për hiqen e vizave do të ndodhë deri në fund të vitit nëse nuk ka ndonjë ndërhyrje politike në Këshillin e Ministrave.