Gruevski e rithekson: Nuk jap dorëheqje

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka përsëritur edhe një herr se s’do të japë dorëheqje, për shkak se, siç thotë, mandatin e ka fituar “nga qytetarët në zgjedhje të rregullta, fer dhe demokratike, para vetëm një viti”.

Lajme

16/05/2015 21:12

“Dorëheqje nuk kam ndër mend të jap, e as që do të pranoj qeveri kalimtare. Kam obligim që të përballem me këtë që po e bën (lideri i opozitës, Zoran) Zaevi, të përballem me këtë dhe të gjej zgjidhje që Maqedonia të ecë përpara. Dhe do të ecë përpara. Zoran Zaevi pesë herë më tha se materialet i ka marrë nga një shërbim i huaj i kundërzbulimit. Domethënë se është i vetëdijshëm se dikush nga jashtë po e krijon këtë skenar”, ka thënë Gruevski për televizionin proqeveritar maqedonas Sitel.

Tërheqja, sipas kryeministrit maqedonas, do të kishte qenë “akt qyqar” nga ana e tij.

“Unë do të ballafaqohem me sulmin ndaj nesh dhe bashkë me popullin do të tregojmë se Maqedonia s’mund të sulmohet në këtë mënyrë, Maqedonia po dëshmon dhe do të dëshmojë se është e fortë”, ka thënë Gruevski.

Opozita, e udhëhequr nga lideri socialdemokrat Zaev, ka publikuar telefonata të përgjuara që e komprometojnë Qeverinë e Gruevskit në segmente të shumta. Për nesër ata kanë organizuar një protestë të madhe dhe kanë porositur se nuk do të hiqen nga rruga deri kur të largohet Gruevski.