Gruaja që lëviz botën e artit

Sheikja 30 vjeçare nga Katari çdo vit harxhon nga 700 milionë euro për të blerë vepra artistike. Ajo është personi më i rëndësishëm i artit në botë.

ShowBiz

24/10/2013 21:00

Emrin e plotë e ka – Ekselenca e Saj, Sheikja Al-Mayassa bint Hamad bin Khalifa Al-Thani. Është 30 vjeçare. Konsiderohet si koleksionuesja më e fuqishme e artit në botë.

Vajza e ish emirit të Katarit dhe motra e emirit aktual është drejtoreshë e Qatar Museums Authority (QMA), dhe ka në dispozicion shumën më të madhe të parave për blerjen e veprave të artit modern perëndimor dhe të artit bashkëkohor.

Llogaritet se familja e saj gjatë tetë viteve të fundit ka harxhuar nga 700 milionë euro për çdo vit, pra, në total rreth 5.6 miliardë euro, për t’i blerë veprat artistike të cilat planifikohen të vendosen në muzetë që Katari është duke i ndërtuar.

Sheikja Mayassa kryeson listën e ArtReview Power 100, që është rangimi vjetor i artistëve, koleksionuesve, kuratorëve dhe shitësve të artit, në kontekstin e rëndësisë që kanë brenda ekosistemit delikat të artit bashkëkohor.

Redaktori i ArtReview, Mark Rappolt, ka deklaruar se shifrat flasin vetë në kuptimin e “fuqisë blerëse të sheikes dhe rëndësisë së saj për tregun global të artit”.

Sheikja ka blerë Les Joueurs de cartes/The Card Players/Lojtarë Letrash, të Paul Cezanne, e cila është paguar 190 milionë euro dhe mban rekordin Guinness si piktura më e shtrenjtë e të gjitha kohëve, pastaj L’enfant au pigeon/Child with a Dove/Fëmija me Pëllumb, i Pablo Picasso’s, për të cilën ka ndarë 60 milionë euro, si dhe blerjen e 11 veprave të Mark Rothko’s për 225 milionë euro.

Fondi artistik sheikor përfshin edhe kryeveprat e Andy Warhol, Roy Lichtenstein, Francis Bacon dhe Damien Hirst.

A.M.

Prezantimi i Sheikes Al Mayassa në TED Women: Globalizing the local, localizing the global.