Gruaja që bëri dje vetëvrasje në Gjilan është motra e zëvendësministrit /Foto

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Xhylie Hajdari, u gjet e vdekur. Dyshohet se ajo bëri vetëvrasje në shtëpinë e saj. E ndjera kishte punuar si kryeinfermiere në Spitalin Regjional të Gjilanit. Ajo ishte motra e zëvendës ministrit të Infrastrukturës, Rexhep Kadriut.

Lajme

16/04/2018 17:56

Policia nga rajoni i Gjilanit është duke e hetuar vdekjen e kryeinfermieres, Xhylie Hajdari. Për këtë punë tashmë janë intervistuar disa persona. Disa të tjerë pritet të intervistohen. Dyshimet e policisë që nga dje janë se e ndjera ka kryer vetëvrasje duke u varur në litar.

“Jemi duke i vazhduar hetimet. Për këtë çështje tashmë janë intervistuar disa persona”, ka thënë të hënën për Express, zëdhënësi i policisë së Gjilanit, Ismet Hashani.
Viktima e moshës 51 vjeçare ka qenë motra e zëvendësministrit në ministrinë e Infrastrukturës, Rexhep Kadriut. Ky i fundit në një postim në rrjetin social Facebook ka njoftuar për vdekjen e saj.

“Në mesin tonë familjar asnjëherë më nuk do jemi të kompletuar, sepse do të na mungosh ti motër Xhylie Kadriu – Hajdari por dashurinë, gëzimin e lumturinë qe na le ndër ne ti përgjithmonë do të jetosh në zemrat dhe shpyrtat tanë”, ka shkruar ai.

E ndjera ishte e martuar dhe ka dy fëmijë. Ajo me vite ka punuar si kryeinfermiere në spitalin regjional në Gjilan. Bashkë me të si doktor ka punuar edhe bashkëshorti i saj.
Nga spitali thonë se e ndjera ka qenë kryeinfermiere dhe se punën e ka kryer me devotshmëri.

Vetëvrasje  në këtë qytet një javë më parë kishte kryer edhe një punonjës tjetër i institucioneve publike. Bëhej fjalë për një polic kufitar, për të cilin thuhej se aktin e kishte kryer në njërën nga kafiteritë e Gjilanit.