Grirja e qepës

Në javët e ardhshme, politika kosovare do të përballet me një ‘situatë elementare’, kur duhet të deklarohet qartë pranimi apo refuzimi i themelimit të ‘Gjykatës Speciale’.

Opinion

29/04/2015 11:16

Gatishmëri e vazhdueshme për vetëlavdërim, si dhe për të kritikuar gjithë Botën e mbarë që nuk kemi atë që na takon.

Në këtë mënyrë, Leszek Kolakowski, mendimtari i madh polak ka definuar dukurinë e klasifikuar si ‘Marrëzia polake’.

Me gjasë, nuk do të humbte gjë ky shpjegim i Kolakowskit, po të aplikohej ndër ne, ndër shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Natyrisht, duket që ky formulim e Kolakowskit ka ‘rreze veprimi’ të gjerë në këto anë të Evropës.

Sidoqoftë, nëse ne marrim frymë thellë dhe nuk reagojmë me të parën, me atë zjarrminë tonë të njohur, me siguri që do të pajtoheshim me Kolakowskin.

Tek e fundit, fati i polakëve dhe i shqiptarëve është bashkuar në tragjedi dhe në vuajtje. Më në fund, pas rënies së Komunizmit, në vitet 1989, 1991, ky fat bashkoi shqiptarët dhe polakët edhe në mëkëmbjen e madhe që shkëmbeu një kob të trashëguar me breza, në një çlirim në trajtë të vendosjes për fatin e vet.

Definicioni i Kolakowskit, në realitet, dëshmon, edhe andej, edhe këtu, mungesën e vullnetit për ta kuptuar veten, dhe për ta zënë fillin e Botës. Mbase, këto të dyja shkojnë bashkë. Duket se më së lehti është që ta refuzosh këtë ndërmarrje të rëndë, dhe të kërkosh alibinë për veten në të bëmat e Botës dhe në mungesën e fatit.

Marrja thelbësore me veten, si në rastin e një individi, ashtu edhe në atë të një shoqëri, të një kombi dhe një shteti, i përngjet asaj qasjes së njohur amerikane, ‘peeling an onion’  (‘grirja e qepës’). Lotët janë të pashmangshëm në gjithë këtë ndërmarrje, por kjo është mënyra e vetme për të marrë vesh se ku është gabuar dhe çka duhet bërë tash e tutje për të mos ecur udhës së njëjtë.

Në këtë mënyrë, mbërrihet në atë stadin, sërish të definuar nga Kolakowski, që klasifikohet si ‘situatë elementare’ në jetë, kur nuk mund të ketë kompromis, kur nuk mund të ketë përgjigje të tretë, asnjanëse, pos atyre që sipërfaqësojnë një ‘Po’ dhe një ‘Jo’ kategorike. Ikja nga këto përgjigje, natyrisht, nuk mundëson edhe largimin e ballafaqimit me një çështje e cila është e prerë dhe shumë e qartë. Zvarritja nuk bën gjë punë këtu. Mund të krijojë një iluzion që është ‘blerë’ pak kohë, e në fakt, në fund del që është humbur një kohë shumë e çmueshme për një shoqëri.

Në javët e ardhshme, politika kosovare do të përballet me një ‘situatë elementare’ të këtij lloji, kur nuk ka mundësi të ndërmjetme pos që të deklarohet qartë pranimi apo refuzimi i një vendimi i cili është gjithsesi i rëndë. Kuvendi i Kosovës do të duhet të votojë për ose kundër themelimit të Dhomave të Specializuara/Gjykatë Speciale, e cila do të merret me pretendimet e njohura në Raportin e Dick Marty-t.

Mbase janë shterrë të gjitha argumentet e mundshme të cilat i kemi përdorë në muajt e kaluar, siç bëmë zaten edhe tash një vit, kur u mor vendimi nismëtar për krijimin e kësaj Gjykate, përmes mbështetjes së Shkëmbimit të Letrave në mes të Presidentes Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë Ashton. Kemi ‘grirë qepë’ sa kemi mundur, kemi lotuar edhe më shumë, duke shpresuar disi që e tëra është veç një ëndërr e keqe, dhe që ‘zgjimi’ do të na gjejë në rrethana krejtësisht të tjera.

Është tepër e rëndësishme të dihet, deri në imtësi, se çfarë sjell për vendin një vendim pozitiv dhe ai negativ në Kuvendin e Kosovës, për të mos thënë më pas se ‘kemi shkuar posht/dëm për mosdije’. Nuk ka të panjohura në këtë ‘situatë elementare’. Dihen edhe ‘efektet anësore’, poqëse merret vendimi për themelimin e kësaj Gjykate, sikurse edhe ‘defektet thelbësore’ (dhe largvajtëse), poqëse ndodhë e kundërta, apo nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të themelojë një Tribunal të mirëfilltë.

Mbase, ‘efekt anësor’ më problematik në rastin e parë është që shoqëria dhe politika kosovare, do të detyrohet tutje të merren me të kaluarën tragjike të vendit, ndërsa Kosovës i duhet sa më parë ta zë të tashmen dhe ta krijojë një të ardhme e cila do t’i afrohet gjithnjë e më shumë Evropës.

Por ai ‘defekti thelbësor’, në rastin e dytë, realisht, na ngujon në të kaluarën, dhe pamundëson që Kosova, në një të ardhme të afërt, që matet me disa vite, të bëhet anëtare e OKB-së.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)