Grevistët e nëmin Qeverinë

Hidhërimi i ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave, që po qëndrojnë në grevë për më shumë se 600 ditë, ka shkuar aq larg saqë edhe po e mallkojnë Qeverinë e Kosovës.

Lajme

06/02/2016 10:44

Njazi Asllani, nënkryetari i sindikatës dhe ish-punëtori i Fabrikës së Tubave, duke folur për “fqinjin e parë” në sheshin ‘Skënderbeu’, tregon se si e ka mallkuar njëherë.

“Sa herë e shohim ndërtesën e qeverisë frikësohemi se po bie mbi tendë e po na zë. Lartësia e madhe, na jemi poshtë. Kemi hy shpesh me kërkua kontakt nuk na kanë pranuar, ‘e kam nëm njëherë, kam thënë prej Zotit ju ardhtë’,” deklaron Asllani për KALLXO.com.

Ndërsa, tendën tashmë shtëpi të tyre në fillim të grevës e kishin pasur gratis, tash Asllani thotë se e kanë blerë.

“Tendën e kemi ble me mjetet të vetëfinancimit, sepse në fillim e kemi pasë tendën gratis prej një djali të ish-punëtorit, i cili është në listën që duhet me marrë pagesë. Ai një moment tha nuk mundem më tepër me dhënë në shërbim”, tregon Asllani.

“Në fillim kemi qenë 45 punëtorë, shpenzimet ditore në fillim arrinin afër 200 euro, të cilat i siguronim me financimin me vetëkontribut të anëtarëve të sindikatës, dikush ka pasë pensione, dikush ka pasë edhe firmë të cilët kanë dhënë deri në 100 euro, dikush 10 euro, dikush 5 euro, ai që ka punuar e që ka pasë mundësi materiale”, shpjegon Asllani.

Ai tregon se nga 45 grevistë sa ishin në fillim, tash në grevë po qëndrojnë vetëm gjashtë ish-punëtorë, ndërkaq dy të tjerë janë në mjekim shtëpiak.

Asllani thotë se familja e tij ndjen mungesën e prezencës së tij si kryefamiljar shtëpie.

“Familja ka dhimbje pse unë ndodhem këtu, në anën tjetër edhe mungesë timen, sepse unë jam kryefamiljar, por pa lënë diçka keq nuk mund të bësh një të mirë. Jam detyruar me i sakrifiku obligimet familjare, pak a shumë ka shprehje të mllefit pse jam këtu  edhe me anëtarë të familjes, por duhet me i përballu,” shpjegon Asllani fytyra e të cilit tregon zhgënjimin që kanë ish-punëtorët grevistë.

Ata kanë gati dy vjet që po qëndrojnë jashtë shtëpive të tyre, gjendje kjo e cila ka bërë që të humbin edhe ngjarje të rëndësishme në familje.

“Derisa kam qenë në grevë kam pas një rast në mars të vitit të kaluar më ka vdekë një vëlla  dhe nuk kam qëndru më tepër sesa që është kryer e pamja, por në momentin  e vdekjes nuk kam mundë  me qenë afër vëllait,” thotë Asllani.