Grevë para Teatrit Kombëtar- Kërkohet pastrimi nga UDB dhe kthimi i vlerave kombëtare

"Artistët këmbë zbathur me sy të lidhur e gojë të mbyllur”, është emri që mban greva e ditës së sotme që do të mbahet para Teatrit Kombëtar të Kosovës.

ShowBiz

04/01/2017 08:18

Të pakënaqur tash e sa vite nga gjendja e mjerueshme që po krijohet brenda në Teatrin Kombëtar, mungesa e lirisë së artistëve dhe probleme të shumta që u bënë të mëdha, sot një artist kërkon të sakrifikojë, shkruan lajmi.net.

Greva që do të mbahet ka karakter kombëtar e artistik, ajo është e organizuar nga Sokol Plakolli.

Përgatitjet e para do të nisin sot në ora 11:00 ndërkaq në ora 12:30 janë të ftuara edhe mediet.

Greva ka për qëllim pastrimin e TKK-së nga strukturat paralele të UDB-së të instaluara në Këshillin Drejtues dhe kthimin e vlerave kombëtare në Teatrin Kombëtar, shkruan lajmi.net.

Kjo grevë pritet të zgjasë pa ndërprerje 24 orë, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Për këtë, është paralajmëruar edhe Policia e Kosovës, madje për çdo rrethanë të mundshme, artistët kërkojnë përkrahje.

Kërkesa e parë e kësaj greve është shkarkimi i Këshillit të korruptuar dhe jo legjitim të TKK-së. Ata kërkojnë shkarkimin e drejtorit gjeneral dhe artistik të TKK-së, si dhe shqyrtimin e vendimeve të këtij Këshilli që nga emërimi i tij.

Në rast se Ministri i Kulturës Kujtim Shala nuk ndërmerr hapa konkret për rregullim e gjendjes brenda Teatrit Kombëtar, do të kërkohet edhe shkarkimi i tij për shkak të neglizhencës së pozitës së tij zyrtare.

Në ligjin për teatro, kërkohet të amandamentohet kthimi i Pleqësisë së teatrit i cili është i përbërë nga një grup aktivistësh të pavarur. Kërkesa tjetër do të jetë që të forcohet pozita e sindikatës së teatrit duke i dhënë hapësirë të përhershme brenda institucionit.

Greva e organizuar, ka kërkesë që t’u hapen dyert e mbyllura artistëve të Teatrit.

Kjo grevë ka vetëm qëllime paqësore, dhe mund t’i bashkëngjiten të gjithë artdashësit, e madje mund të përkrahet edhe nga qytetarët, kolegët dhe institucionet, kjo duke u bërë fillimisht e ditur tek organizatori i grevës.

Grevisti Sokol Plakolli, do të qëndrojë i ulur në karrigen e vendosur para Teatrit Kombëtar, pa ushqim, pa pije, i zbathur, me gojë dhe me sy të mbyllur, por ka të drejtë të komunikojë me të tjerët.

Krejt çka ai nuk pranon janë ndihma mjekësore dhe rehabilitimi i tij si grevist. Nuk pranon batanije, tendë apo komoditet.

Grevisti pretendon të vazhdojë grevën edhe në rast arrestimi, burgosje apo alivanosje. Kjo, deri sa ai të arrijë kërkesat e tij të parashtruara ndaj Ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.

Ai paralajmëron se në rast se brenda 24 orëve nuk merren masa për kërkesat e tij, kërkesat e tij shtohen dhe mund të eskalojnë. Kërkesat e tij do të drejtohen në instanca më të larta shtetërore brenda dhe jashtë vendit. /Lajmi.net/