Greva në arsim, SBASHK-u përgëzon mësimdhënësit e Lipjanit për unitet

Greva e mësimdhënësve filloi më 14 janar.

Lajme

16/01/2019 12:27

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Komunës se Lipjanit, Milazim Sadiku i kanë vizituar mësimdhënësit grevist në Lipjan, në ditën e tretë të grevës.

Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Vëllezërit Frashëri” në këtë komunë, Jasharaj i përgëzoi mësimdhënësit grevistë për unitetin e treguar.

“Nuk është në dëshirën tonë kjo grevë, nga muaji maj u kemi argumentuar se ligji i tmerrshëm i keq i pagave është diskriminues për arsimin. Kemi ofruar edhe argumente për këtë çështje. Kemi pasur premtime nga kryeministri. Në bëmë alarme për këtë ligj, por qeveria nuk reagoi. Duke e parë që institucionet për qëllime politike po e ngutin ligjin e pagave, ne nuk patëm zgjedhje tjetër dhe Këshilli drejtues solli vendim meritor që nga 14 janari të fillojmë më grevën”, tha ai.

Sipas kreut të SBASHK-ut, kësaj radhe risi janë edhe çerdhet e Kosovës, të cilat kanë hyrë në grevë.

“Ky unitet na jep shpresë që kërkesat tona do të realizohen. Nga çerdhet e deri në universitet të gjitha koeficientet të shtohen për së paku 30 për qind. Prioritet duhet të jetë arsimi. Kërkojmë që edhe ne të jemi në nivelin e duhur”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari i Këshillit të Prindërve në Lipjan, Milazim Sadiku tha se grevistët do ta kenë mbështetjen e tyre.

“Në nivel të Këshillit të Prindërve të Komunës e keni përkrahjen e plotë dhe të gjithë janë me ne. Shpresoj që do të vazhdojmë kështu deri në fund”, tha Sadiku.

Përfaqësuesit e SBAShK-ut vizituan edhe grevistët në çerdhen e komunës së Lipjanit, të cilët i falënderuan për mbajtjen e grevës.